Transmetuar më 20-10-2017, 17:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilëson si blerje kohe, shtyrjen deri paraditen e nesërme të mbledhjes për Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetin, ku kërkohet heqja e mandatit të deputetit Saimir Tahiri.

Ai deklaron se shqiptarët panë se si Edi Rama urdhëroi mbrojtjen e Saimir Tahirit, të cilin e cilësoi si trafikant të dalë hapur nga përgjime që çdo shqiptar i ka lexuar.

Sipas tij, përgjimet nxorën zbuluar se Saimir Tahiri merrte shuma të mëdha parash në këmbim të mbrojtjes që i ofronte bandës së “Habilajve”.

Kreu i opozitës tha se Rama tregoi se është në krahë të Saimir Tahirit dhe se e vërteta që i lidh bashkë dhe i inkriminon është më e fortë se retorika e tij për drejtësi.

“Askush nuk kërkon prova për ti hequr një privilegj Tahirit, për ta bërë të barabartë para drejtësisë. Provat tregohen në gjykatë. Faktet tregojnë qartë se parlamenti nuk ka rrugë tjetër veçse ti heqë një orë e më parë imunitetin Saimir Tahirit”, u shpreh Basha.

Ai shtoi më tej se Saimir Tahirit iu blenë 24 orë gjatë të cilave nënvizoi ai, do të shkatërrohen shumë prova dhe do të lidhen dhe priten shuam fije.

“Do të çohen negociatar, zhage e numra bankarë për të shantazhuar e blerë të vërtetën. Për këdo që kishte dyshim, Rama provoi se kupola mafioze nuk do jetë kurrë në gjendje të bëjë drejtësi”, tha ai.

Në këtë linjë, nënvizoi se për çdo shqiptar është ora e vetëdijes dhe se qeveria antimafia është e vetmja mënyrë që do vendosë drejtësi, rend dhe siguri.

Ai tha se mënyrat për të arritur deri në një qeveri antimafia, po zvogëlohen me shpejtësi të madhe.

“Po vjen ora që të gjithë së bashku, shumica dërrmuese e shqiptarëve që nuk e kanë votuar Edi Ramën të marrin në dorë fatet e vendit”, deklaroi Lulzim Basha.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren në Kuvend, i doli në krahë Saimir Tahirit, i akuzuar për trafik droge.

Ndërsa avokati mbrojtës i Tahirit, Artan Hajdari kërkoi tre ditë kohë, deri të hënën, që të përgatisë mbrojtjen, Ruçi i ka dhënë të drejtë.

“Keni kohë deri nesër, nesër në orën 10.00 mblidhet këshilli”, u shpreh i prerë Gramoz Ruçi.

Nga ana e tij deputeti demokrat Enlekejd Alibeaj deklaroi se përfaqësuesit e opozitës në Këshill kërkojnë që seanca të vazhdojë.

Por Ruçi tha se nuk po merret një vendim në kundërshtim me procedurat e parlamentit, duke nënvizuar se kur fillon dhe kur mbaron mbledhja e përcakton kryetari i komisionit.

Në këtë linjë sqaroi se në asnjë rast të ngjashëm nuk është mbyllur me një mbledhje Këshilli i Rregullores.

“Ka qenë vetëm një rast, rasti kur deputeti ishte i ndaluar. Për Lulzim Bashën ka zgjatur 60 ditë Këshilli i Rregullores Imunitetit dhe Mandatit. Këtij këshilli i duhet kohë. Nesër në orën 10.00 jeni të ftuar të vini këtu”, tha i prerë kreu i Kuvendit.

Demokrati Alibeaj kërkoi që të hidhet në votim kërkesa, duke e cilësuar vendimmarrjen e Ruçit si të turpshme. /a.y/noa.al