Transmetuar më 20-10-2017, 11:02

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lënë banesën paraditen e sotme rreth orës 10:40 për të shkuar në Kryesinë e Kuvendit ku është pritur me duartrokitje nga simpatizantët e tij.

Pak minuta më pas Tahiri ka mbërritur në këmbë në Kryesinë e Kuvendit ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga kjo mbledhje, Tahiri ka preferuar t’i përgjigjet me humor “Nuk prisni dot 5 minuta”?

Këshilli i Rregullores Mandatit dhe Imunitetit të deputetëve pritet të nisë nga momenti në moment për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Një ditë më parë Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi se materiali i Prokurorisë tashmë i është dhënë të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe ish-ministrit Tahiri. 

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të ish-Ministrit Saimir Tahiri. Vendim që ka ardhur pas hetimeve të grupit Habilaj. 

Pas vendimit që do të marrë Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit raporti duhet ti paraqitet kuvendit të paktën brenda katër javësh. /b.l/noa.al/