Transmetuar më 20-10-2017, 10:27

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llala i është përgjigjur flakë për flakë, akuzave të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj se "segmente të prokurorisë po përdoren politikisht" lidhur me çështjen e Saimir Tahirit.

Llalla deklaroi se "ish-Kryetari i Reformës në Drejtësi, mesa duket nuk i ka të qarta ndryshimet ligjore".

 “Ish kryetari i reformës në drejtësi, ministër i brendshëm nëse nuk është i qartë për ndryshimet ligjore, është problematikë e tij. Situata është e tensionuar, kriminaliteti është në të gjithë territorin e vendit dhe veçoj Vlorën, Lushnjen, Elbasanin. Detyra jonë është që të vihen para drejtësisë autorët”, u shpreh Llalla.

Më herët ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha se provat që ai ka parë nuk e fajësojnë deputetin Saimir Tahiri, ndërsa shtoi se çështja po përdoret politikisht nga individë të Prokurorisë, ndërsa theksoi se kjo i takon drejtësisë italiane.

“Mesa shoh thjesht po duan ta përdorin. Për sa i përket asaj çfarë më pyetët, nëse do më pyesin nga pikëpamja ligjore, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e krimeve të rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është një gjë që është shpreh vullnetin e ligjit, që do të thotë se jemi në rastin kur segmente apo individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një çështje të nxehtë.

Flas për sa unë kam parë. Nëse Prokuroria ka çështje të tjera le ti shohim. Do të shihni prova dhe vullnete konkrete shumë shpejt”, tha Xhafaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin dhe kontrollin e banesës dhe sendeve personale të Saimir Tahirit dhe për këtë arsye sot në orën 11:00 do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të vendosur. /b.l/noa.al/