Transmetuar më 19-10-2017, 16:20

Pas kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit ka reaguar për herë të parë edhe kryeministri Edi Rama.

Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Rama shprehet se kërkon vetëm drejtësi dhe beson tek kjo fjalë, jo si ata që sipas Ramës janë tallur me drejtësinë prej 27 vjetësh rresht.

“Kur them dua një vend me drejtësi kuptoj vetëm drejtësi! Kur them dua të vërtetën nga drejtësia s’e bëj si ata që veç janë tallur dhe tallen me drejtësinë prej 27 vjetësh rresht! E besoj këtë fjalë megjithë mend dhe luftoj për kuptimin e plotë të kësaj fjale, megjithë zemër. Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo”, shkruan Rama.

Më tej kryeministri ka uruar që Tahiri të vërtetojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh.

“Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund”, përfundon Rama. /b.l/noa.al/