Transmetuar më 16-10-2017, 17:49

Ish-komisari i Policisë Dritan Zagani, ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Vlorës, i cili ka fituar azilin politik në Zvicër, ka reaguar në Facebook, pas lajmit të arrestimit në Itali të Moisi Habilajt.

Zagani thotë se pas këtij lajmi po pret deklaratën e policisë për këtë operacion. Ai ironizon se po vonohet deklarata dhe se kjo po e bën merak.

“Pres me akth të madh deklaratën për këtë operacionin e përbashkët ku çunat arrestuan në bashkëpunim me italianët këtë kushon e ish shefit…! P.s…sa po e vonojnë sot deklaratën, po më bëjnë merak….”, shprehet Zagani.

Më herët po në rrjetet sociale Zagani ka shkruar me ironi se është arrestuar në Itali kushëriri i preferuar Moisi Habilaj….një “biznesmen” i ndershëm nga Vlora.

“Arrestohet në Itali kushëriri i preferuar Moisi Habilaj….një ” biznesmen” i ndershëm nga Vlora që me “djersën” e ballit këto 4 vite qeverisje të rilindjes rriti fitimet e biznesit në ca miliona euro…! Vite më parë kur unë si polic i “korruptuar” u arrestova me urdhër të kushëririt të Moisiut, ministrit të asokohe z.Saimir Tahiri,,nga Saja dhe shefi i tij u tha që unë isha një i arratisur dhe kriminel që bashkëpunoja me trafikantët dhe se kushëriri i shkretë ishte biznesmen i pastër ….!

Çfarë te them më tepër…jam pa fjalë …vetëm pres me ankth si do reagoj Shqipëria ime (shtypi dhe mediat) apo dhe vetë shteti im për këto “shpifjet” që unë kam vite e vite që i hetoja në cilësinë e policit…si dhe i kam deklaruar si fakte të fatkeqësisë time para më shumë se dy vite në mënyë publike….dhe u shpallën si shpifje nga të gjitha strukturat e shtetit deri te vetë lartgjatësia e tij zoti Rama….”, shkruan Zagani.

Zagani është një emër i njohur, i cili në kohën që ka qenë me detyrë në Fier dhe Vlorë ka hetuar për vëllezërit Balilaj, si pjesëtarë të një organizate të fuqishme në trafikimin e drogës. Madje ai arriti të zbulojë dhe denoncojë më vonë, se ata përdornin për qëllimet e tyre edhe vetë makinën personale të Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm në atë kohë. /b.l/noa.al/