Transmetuar më 09-10-2017, 22:03

Nga Artan Fuga

Kur lexova se Universitetit të Tiranës ekipi i akreditimit i ka bërë edhe komente jo të favorshme për kërkimin shkencor, dhe i ka kërkuar pra t'a rregullojë situatën, pyetja më kërciti si çekiç në kokë:

A e dinë këta anglezo-shqiptarët që universitetet publike, madje edhe ato private, madje edhe agjencitë e tjera të kërkimit shkencor në Shqipëri, të gjitha, janë në pikë të hallit, dhe fajin, përgjegjësinë, mëkatin e kanë politikat joadekuate, më së paku, të ministrisë të arsimit?

1. Kërkimi shkencor në Shqipëri ende nuk ka metodologjinë e matjes të kontributit të tij në krijimin e GDP të vendit. Kërkimi shkencor ende i jepen parà sado pak, krejt qesim, kaq kemi,dhe jo si llogari midis investimit financiar dhe rikthimit të investimeve në të mira materiale ose financiare.

2. Shkollat doktorale në universitetet publike, baza e kërkimit shkencor universitar, nga Anglia në Industan, nën veprimet ose mosveprimet e dikasterit përkatës, dhe prej këtej në disa vite, shifra që llogaris si humbje për universitetet publike, shkon në miliarda lekë. Kush e mban përgjegjësinë për këto lekë të pafituara? Ku kanë shkuar këto flukse financiare? Me to mund të bëheshin çudira!

3. A ka konkurse dhe thirrje per studime ministria, kuvendi, qeveria për të dhënë prioritetetet e temave kërkimore shkencore në të gjitha fushat për kombin, për afate të shkurtra dhe për dekadën e ardhëshme? Zero planifikim dhe pritshmëri!

4. Doktoraturat vazhdojnë mbrohen dhe vlerësohen sipas ligjit të vjetër ndërkohë që ligja e re nuk zbatohet. Me lopatë doktoratura në kushtet e mungesës normative. Kaos total.

5. Kriteret e vlerësimit të punës shkencore në ditë të hallit. Ende me botime maten, kur tani gjithkush botoçn sipas qefit, mjafton të paguajë, pra me një gjendje të tejkaluar së paku prej dhjetë vitesh në botë.

6. Agjencia e kërkimit shkencor e politizuar dhe si drejtori e ministrisë. Kush mund të marr ndonjë buxhet prej saj nëse dëshiron të zhvillojë një kërkim me hipotezë alternative nga hipotezat e qeverisë? Shkencë në Shqipëri që nga koha otomane mund të bësh veçse nëse rezultatet dihen qysh në fillim, pra që arrijnë në përfundimin se partia që na udhëheq është e pagabueshme, edhe populli, edhe ministria e arsimit janë bartëset e së vërtetës ultime.

7. Universiteve nuk u mbulojnë një tre muaj rroga dhe ata i gjejnë paratë te fondet e tjera që i marrin edhe nga kërkimi shkencor. Kush punon dot pa rrogë? Në vend të shkencës paguajmë rroga!

8. A e dini që për të drejtuar punën shkencore dhe diplomat e studentëve, pedagogët duhet të punojnë vullnetarisht, pra si punë e papaguar? A e dini se çfarë do të thotë kjo? Punë vullnetare!

Dhe me të gjitha këto disfata, pengesa, prapambetje, pasi i kanë penguar universitetet, u a masin gjoja atyre performancën në shkencë që ua kanë mohuar vetë akredituesit?

Këtu duhet të jesh i durueshëm që të mos thërrasësh nga dhimbja!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al