Transmetuar më 06-10-2017, 13:22

Një vajze nga Jugu i Shqipërisë rrëfeu sot historinë e saj në emisionin “Studio e Hapur” në News 24 dhe kërkoi ndihmë për të rritur të bijën, fryt i një lidhjeje jashtëmartesore.

29- vjeçarja para disa vitesh dashurohet me një burrë në moshë, i martuar dhe me tre fëmijë, këngëtar i muzikës popullore. E ndërgjegjshme për gabimin që po bënte, por marrëdhëniet vazhdoi t’i kishte të rregullta me personin në fjalë, i cili e bëri dhe pjesë të familjes së tij, duke e prezantuar tek bashkëshortja si miken më të mirë.

Para tre vitesh vajza mbetet shtatzënë me të dhe ka sjellë në jetë një vajzë, e cila aktualisht është tre vjeç.

Babai i tre fëmijëve, fillimisht fëmijën e katërt që solli në jetë jashtë martese, e donte, paguante ushqimet dhe kujdesej për të. Vajza e vogël po rritej dhe kur nisi të hidhte hapat e parë, babai e merrte dhe në banesën e tij ku fëmijët e tjerë i dhuronin dashuri vogëlushes, pasi nuk e dinin që ishte motra e tyre, por thjesht vajza e mikeshës së babit.

Sekreti nuk mund të mbahej më gjatë. Para një viti e gjysëm gjithçka u zbulua. Bashkëshortja zbulon tradhtinë dhe i kërkon të dashurës së burrit që fëmijën ta braktisë në një shtëpi jetimore dhe historia të merrte fund njëherë e përgjithmonë.

Nisin konfliktet, ushtrimi i dhunës psikologjike tek vajza me foshnjën e vogël dhe në fund ajo braktiset nga babai i vajzës së saj, i cili ishte garantuesi i ushqimit dhe mirëmbajtjes se tyre.

Ka një vit e gjysëm që zotëria ka mohuar atësinë dhe është zhdukur nga jeta e kësaj vajze, e cila tashmë ka ngelur në mes të katër rrugëve. 29-vjeçarja me origjinë nga jugu i Shqipërisë është rritur jetime, ndërsa vëllai e motra e kanë braktisur për atë histori dashurie që ajo krijoi.

Ata e dënuan për faktin që u lidh me një burrë të martuar, i cili tashmë vazhdon jetën e tij me tre fëmijët dhe gruan.

Ndërsa viktima në të gjithë këtë histori është një vogëlushe tre vjeçare, që nëna e ushqen me atë çka i falin.

Si është historia jote?

Vij nga një qytet i Jugut, kam qenë e martuar dhe jam ndarë jo për këtë arsye por nuk na puqeshin karakteret. Ndarja nga bashkëshorti bëri që familja të mos më pranonte më në shtëpi.

Sa jetove vetëm?

Jetova për 5 vjet isha në rregull, kisha punë

Arrite të krijoje lidhje afatshkurtra?

Jo, absolutisht.

Çfarë ndodhi më pas?

Shkova me qira në shtëpinë e zotërisë për të cilin kemi ardhur sot këtu… pastaj e ndryshova, ai filloi të më merrte në telefon me shante me llafe nga më të ndryshmet… pastaj erdhi vajza ime.

Pse ike ti nga banesa e tij që e jepte me qira?

Sepse ata donin të fusnin më shumë persona.

Si lindën shkëmbimet e mesazheve me pronarin e banesës? Si lindi lidhja juaj?

Filloi me shkëmbimin e mesazheve…ishte ai këmbëngulësi.

E dije ti që kishte familje ai?

E dija por ishte ai këmbëngulësi, është e vështirë ta shpjegoj..

Ti hyre në familjen e tij, e njihje edhe gruan?

Po, kisha miqësi me gruan e tij, nuk kisha shpresa as tek ai se më donte dhe e doja. Është diçka që s’ja vlen më ta diskutoj, se është pak e rëndë. Unë duhet të bëja veprimet e duhura që në fillim. Jam penduar vetëm se nuk tregova çfarë ndodhi. Këtu kam ardhur vetëm për vajzën.

Çfarë bëri ai kur i the që ishe shtatzënë?

Më tha ta abortoja, madje me tha të merrja gruan e tij. Por unë nuk pranova…

Po më pas?

U izolova, i bija celularit të tij, i thashë se kisha lindur, i thashë do vish ti këtu apo të vij unë bashkë me vajzën në shtëpinë tënde? Ai erdhi dhe më dha paratë.

Po pastaj?

Unë hyra në banesën e tij, me dëshirën e tij. Më prezantoi si shoqe… por pastaj gjërat…

Si e mori vesh bashkëshortja e tij?

Ajo më ftoi për kafe, kur e mori vesh, më kërkoi që vajzën ta çoja në jetimore se nuk të shikoj dot të vuash… Asaj i kërkoj të falur vetëm se nuk i thashë çfarë ndodhi atë natë kur ne të dy ishim të pirë. Ai më bënte presion pastaj, dhe nuk ia tregova kurrë.