Transmetuar më 28-09-2017, 12:09

Ish-Presidenti i vendit Bamir Topi analizon për gazetën “Telegraf” situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Flet për marrëdhënien Rama-Basha si dhe PD-LSI në opozitë. Ndërkohë që e konsideron të vonuar qëllimisht reformën zgjedhore, prej së cilës ai shprehet se kanë vuajtur partitë politike në çdo zgjedhje. Për ish-Presidentin, marrëveshja e 18 majit mes Bashës dhe Ramës nuk ekziston. Topi është i bindur se mbetet ende në fuqi marrëveshja e 21 prillit 2008 mes Berishës dhe Ramës. Dhe kjo marrëveshje sipas tij, ka vetëm një arsye, të mbajë në politike vetëm dy parti. 

Zoti Topi, politika prej muajsh ndodhet në një pikë kyçe, e cila lidhet ngushtë me disa prej reformave të rëndësishme, që janë vënë si prioritet për integrimin e vendit. Si e shihni këtë situatë?

Për Shqipërinë dhe institucionet e brishta të saj, rruga e reformave mbetet e vetmja që të çon në Evropë. Problemi qëndron tek cilësia dhe thellësia e tyre, që sipas gjykimit tim nuk po e nxjerrin vendin nga ky tranzicion i gjatë dhe traumatik.

Problemi është së pari politik dhe lidhet me mungesën e një sistemi të besueshëm që prodhon institucione të qëndrueshme. Ne ende nuk i kemi këto institucione, pasi kemi një sistem politik të korruptuar, të blerë apo të vjedhur, ku elita intelektuale thuajse nuk përfaqësohet. Shumë dështime apo defekte në suksesin e reformave, i dedikohet sistemit politik të sëmurë dhe partive që kanë qeverisur Shqipërinë, të cilat duhet të turpërohen, pasi një herë të vetme nuk arritën të zhvillojnë zgjedhje normale, për pasojë, pa mundur të ndërtojnë një arkitekturë të një shteti normal. Sot që flasim kemi një krizë të qartë të sistemit të formimit akademik, rrethe të të cilave duhet të furnizonin politikën në vendimmarrje dhe jo e kundërta. Shqipëria hyri në zgjedhje pa reformën zgjedhore.

-Kemi një mazhorancë që mban në dorë tepsinë vetëm. Si e shihni këtë tablo përballë opozitës së Bashës? 

Terminologjia e përdorur si kazani apo tepsia, nuk është thjesht përkeqësim deri në vulgaritet i fjalorit politik, por dhe fyerje apo arrogancë në kushtet kur fitorja është e sigurt. Pra nëse mazhoranca ka këtë mënyrë sjelljeje lidhet jo vetëm me formimin dhe traumave të verbra të militantëve që e pëlqejnë këtë gjuhë, por edhe pse ka përballë një opozitë ekstremisht të dobët, për të mos thënë të mjerë, absolutisht më e dobëta në 27 vite tranzicion. Opozita jo vetëm nuk rrezaton shpresë, por sikur ka marrë misionin historik për ta lënë Shqipërinë pa të djathtën politike. Në këto kushte shikoj dhe parashikoj rritje të arrogancës në qeverisje, dhe kontrollin total të administratës, të investimeve publike dhe mbi të gjitha të jetës parlamentare dhe kontrollit total të medias. Pra nuk shikoj me optimizëm kontrollin demokratik të ekspansionit partiak në funksionet e Shtetit.

Opozita ka hedhur idenë e rishikimit të ligjit për ndarjen administrative. Çfarë mendon ish- presidenti për këtë lëvizje?

Reforma administrative ka qenë nevojë në kushtet kur Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht strukturën e shoqërisë dhe fizionominë e qyteteve si pasojë e ndryshimeve demografike dhe prishjes së ekonomisë të centralizuar socialiste. Edhe nëse del ndonjë nevojë për të bërë ndryshime, sjellja politike e përqendron vëmendjen dhe studimin vetëm në llogaritë elektorale, që sipas meje është një qëndrim i gabuar. Nëse ka një reformë ku duhet diskutim dhe qëndrim profesional kjo është reforma administrative. Për sa kam parë dhe dëgjuar ka shumë pakënaqësi në situatën e shërbimeve me ndarjen aktuale.

-Një tjetër lëvizje e PD është dhe reforma zgjedhore. Mendon se Rama - Basha do e mbyllin këtë reforme pa kushte?

Të flasësh sot për reformën zgjedhore, ndërkohë që vendi u fut në zgjedhje pa ligj zgjedhor të reformuar, sipas gjykimit tim është një shfaqje publike e papërgjegjshmërisë dhe tradhti për demokracinë , padyshim e çiftit PS-PD që padrejtësisht kanë marrë monopolin e reformës. Ende nuk ka shpjegim nga Basha, pse në 4 vjet ka dështuar në mënyrë spektakolare në komisionin PS-PD për zgjedhjet?

Në çdo vend normal opozita lufton në mënyrë të ndershme për interesat qytetare që të zgjedhin lirisht. Pas 27 vitesh demokracia është tradhtuar rëndë dhe tingëllon shumë ironike që Partia Demokratike po mendon ‘Post mortum’ për rregullat në zgjedhje të vitit 2022, pasi futi në parlament njerëzit e interesit të ngushtë, duke tradhtuar interesa përtej partisë së tij politike. Nga ana e tij z. Rama pati deklaruar se do të reformonte ligjin para zgjedhjeve të 25 qershorit dhe sigurisht duke mos e bërë. Sipas konsideratave të mia, nuk mund të ngre hipotezë mbi vendimmarrjet e dy njerëzve që na kanë dëshmuar se nuk dinë të mbajnë fjalë.

-Çfarë roli do ketë marrëveshja e 18 majit me kryerjen e reformave?

Ka një sjellje gati naive për të interpretuar 18 majin. E shoh këtë midis politikanëve, gazetarëve dhe natyrshëm midis njerëzve të thjeshtë që e kanë të vështirë orientimin në këtë kakofoni politike. Sipas meje nuk ka pasur një marrëveshje Rama-Basha më 18 maj.

Po. Ka një marrëveshje Rama -Berisha që vazhdon të funksionojë qysh nga dita që pasuan shpërthimin e Gërdecit dhe që mori emrin si marrëveshja e 21 prillit 2008. Gjithçka ka ndodhur para dhe pas 18 majit mban vulën e Ramës dhe Berishës, por që shkon në favor të Ramës. Ky është premtimi që Rama mori me 21 prill 2008 për të ardhur në pushtet pas degjenerimit moralo-politik të pushtetit të Berishës. Për çdo analist politik, psikolog apo antropolog që merret me profilin e sjelljen e politikanëve, sot çuditërisht njeriu më i qetë në dështimin e tij është Lulzim Basha, pasi në një krah e ndihmon sistemi që të kontrollojë opozitën dhe nga ana tjetër është ati tij politik si arkitekt i listës së opozitës në Parlamentin e ri.

-A do ketë ndikim marrëveshja në sistemin zgjedhor?

Qëllimi i vetëm i Berishës është funksionimi bipolar i politikës, sepse kjo i siguron edhe mbijetesën në opozitë të përjetshme. E keqja më e madhe është se sistemi aktual zgjedhor ka shkatërruar totalisht demokracinë e brendshme të Partive Politike, duke i kthyer në prona private të kryetarëve dhe në formacione paramilitare në dorë të tyre. E kam thënë që kur Basha u zgjodh se në kushtet e shkatërrimit të demokracisë së brendshme dhe të së djathtës në mënyrë të qëllimshme, ai do të jetë rast unikal që një kryetar i PD-së do të largohet pa asnjë trofe. Rregullat në demokraci nuk vendosen sipas konjukturave të çastit, sepse vjen një moment që e pëson rëndë. A nuk janë ato që bërtasin sot të përjashtuar, të cilët sollën si inkuizitorë të kolegëve të tyre në Parti e institucione?

-Kush fiton dhe kush humb nga zbatimi i marrëveshjes së fshehtë??

Padyshim gjithçka shkon në favor të Ramës, i cili sot ka pushtet të pakufizuar, në Parlament, Qeveri, institucione, pse jo në tendenca të shprehura për të kontrolluar në perspektivë edhe drejtësinë. Për sa po zhvillohet situata Rama sot është i fuqishëm financiarisht, ka në kontroll të frikshëm median dhe mund të mendojë që mund të merret me cilindo, me batuta, fyerje, politikisht, administrativisht ligjërisht pa asnjë lloj pengese. 

Sipas meje ky është kufiri që ndan hapësirën e demokracisë me diktaturën. A do jetë në gjendje ta kontrollojë me arsye pushtetin e tij të madh. Mbetet për tu parë.

Kjo bëhet më problematike për Ramën, pasi jemi në kushtet kur Shqipëria nuk ka opozitë, por një shtojcë servile e pushtetit aktual. Për sa po shoh, Rama nuk po më habit, ndërsa Basha më rezulton pa të ardhme.

-Cili sistem zgjedhor i përshtatet vendit tonë?

Sistemi zgjedhor mund të jetë cilido nëse ndërtohet mbi ndershmëri dhe korrektësi politike. Gjithçka varet nga vendimi për të mos blerë dhe vjedhur më. Boll më me këtë situatë. Sipas meje ligji proporcional me korrektim kombëtar, komisione jo politike dhe votim elektronik për emigrantët janë zgjedhje racionale.

-Po për reformën administrative mendon se rishikimi i saj ndikon në ndarjen e mandateve? Si e shihni marrëdhënien e Ramës dhe Bashës?

Kam bindje që partitë politike në parlament e lidhin reformën administrative me mandatet parlamentare. Sepse deri tani e kanë dëshmuar këtë sjellje. Për sa i përket marrëdhënies Rama-Basha, sikurse e thashë më lart, është një interpretim publik i marrëveshjes okulte Berisha-Rama qysh nga 21 prilli 2008: të cilët pa më të voglin dyshime sundojnë bashkarisht Shqipërinë dhe Shqiptarët. Natyrisht sot gjithçka flet për pushtetin e Ramës dhe për garancitë që ky i ka dhënë paraardhësit të tij. Doni një ilustrim? Fakti që askush nuk merret sot me masakrën e 21 janarit është domethënëse!

-Po PD-LSI?

Partia Demokratike dhe LSI janë në pozicione të ndryshme. Sipas mendimit tim, PS do të përkëdhel preferencat e PD-së, duke dashur të bëjë një skemë politike bipolare. 

Ndoshta sot tingëllon joshëse për interesat e PD-s por perspektiva do të tregojë një dëmtim të parikuperueshëm politik dhe në imazhin publik të saj.

Si ish president keni deklaruar jo rrallë se sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe politika duhet të mbaj duart larg tij. Beson te Reforma në drejtësi? A duhet që Vettingu të prek dhe politikën?

Në fakt në një nivel me korrupsionin në drejtësi, është korrupsioni politik.

Korrupsioni fillon ditën e zgjedhjeve, vazhdon në hartimin e ligjeve, emërimin dhe kontrollin klientelist të administratës dhe shtetit. Kjo është arsyeja pse Vettingu duhet të shtrihet në politikë, sepse gjithçka.