Transmetuar më 22-09-2017, 19:41

Kreu u Grupit Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar pas fjalimit të Ramës që mbajti në Nju Jork, lidhur me banorët e Shkozës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili shkruan se kryeministri ka përbuzur shqiptarët.

“Shkoza s’përfaqëson asgjë dhe s’meriton besoj koment deri në Uashington dhe Nju Jork”, citohej në fjalën e Ramës, ku sipas Vasilit ai është një kryeministër i egër me qytetarët. 

“Kryeministri përbuz shqiptarët nga Amerika. Kryeministri Edi Rama ka folur për rastin e Shkozës gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, këtë të premte. “Shkoza s’përfaqëson asgjë dhe s’meriton besoj koment deri në Uashington dhe Nju Jork”. Këto tha ky kryeministër i egër me qytetarët dhe superficial e i paditur si në çdo gjë që bën e thotë”, shkruan Vasili.

Më tej ai shton se “Për Kryeministrin, që llomotit nga Uashingtoni, shqiptarët duken hiçgjë, të vegjël dhe të parëndësishëm, pasi ky e ndjen veten të rëndësishëm dhe është shumë i lumtur me vanitetin e tij social dhe politik, pasi gëzon i shkreti që ndodhet atje.

Reagimet demode të shkollëpakut, që vijnë erë kutërbuese provincializme, humnere idesh dhe gëzimi qesharak si ai i shqiptarëve kur dilnin jashtë shtetit para viteve 90′, fjalët që thotë janë një komedi e zezë”.

Sipas Vasilit, qytetarët janë të fundit për kryeministrin Rama, ndaj familjet e Shkozës që përballen sot me një hall e dhimbje të rëndë janë asgjë përpara tij.

“Qëndrimi i tij është i egër e pa mëshirë edhe për fëmijët e Shkozës, që s’dinë se ku do të mësojnë dhe prindërit e tyre, që ndodhen përpara shkatërrimit pa kthim të djersës, gjakut dhe mundit shumëvjeçar”, përfundon Vasili.

Më herët në një intervistë për VOA, Rama ka folur lidhur me situatën e Shkozës, ku shumë banesa do të shemben në sajë të projektit për rehabilitimin e Lanës.

“Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe se nuk meriton asnjë koment nga Nju Jorku. Ata që kanë shembur pa leje do tu prishen ndërtesat. Patjetër që nuk pranohet që as të dëmshpërblehet dhe as të ledhatohet. Familjet do të akomodohem me mundësitë e tyre. Shteti ka detyrë tu shërbejë qytetarëve. Të bësh shtet të bësh punë dhe të bësh mirëqenie nuk ka shumë rrugë”, tha Rama. /b.l/noa.al/