Transmetuar më 22-09-2017, 19:16

Manipulimi me energjinë elektrike u ka kushtuar shtrenjtë një elektriçisti dhe një abonenteje, të cilët kanë fshirë kilovatët nga sahati i energjisë elektrike.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Fortuzi”, në Tiranë, ku elektriçisti Boris Tola, është konstatuar se në datën 10 shtator të këtij viti ka hequr matësin e një abonenteje dhe ka bërë të mundur fshirjen e kilovatëve të konsumuar.  

“Ne polici është proceduar edhe abonentja, si bashkëpunëtore në krim, ku rezulton debitor ndaj OSHEE prej disa muajsh. Rasti u zbulua sot gjatë kontrollit në zonën “Rruga Fortuzi”, Tiranë.  Gjatë marrjes në pyetje, palët e kanë pranuar veprimin e jashtëligjshëm”, sqarohet në njoftimin e OSHEE.

Po ashtu, nga kontrollet e vazhdueshme, vetëm në Tiranë, janë regjistrua në 3 muajt e fundit mbi 60 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Rasti i fundit, ishte zbulimi i një vile 3-katëshe, me aktivitet bar-lokal në katin e parë, e cila furnizohej duke vjedhur energji përmes një linje të dytë jashtë matësit. /k.k/noa.al/