Transmetuar më 22-09-2017, 18:40

Pas fjalimit të tij në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës.

I  pyetur për koalicionin e kaluar me LSI, si dhe për premtimet e bëra në këtë mandat duke qeverisur të vetëm, Rama tha se nuk fajëson LSI për ato që nuk janë arritur në mandatin e kaluar, përkundrazi sipas tij LSI ka dhënë kontribut.

“Nuk do të thotë se ne kemi fajësuar subjekte të veçanta, unë e kam vlerësuar koalicionin për atë që ka bërë në reformat. Vota e 28 qershorit tregoi se është hapur një faqe e re dhe ne do e shkruajmë këtë faqe me dinjitet, me shërbime dinjitoze për shqiptarët”, tha Rama.

Lidhur me marrëveshjen e 18 majit me Bashën, teksa i fundit tha se ajo ka “vdekur”, kryeministri Rama u shpreh se gjithkush ka rrugën e tij, por asnjë rrugë nuk përjashton Shqipërinë.

Secili gjen qasjen dhe rrugën e vet, por asnjë rrugë nuk përjashton Shqipërinë. Ne në çdo rast do ftojmë palët e tjera për të mirën e vendit. Është koha për t’u bërë bashkë", tha Rama.

Ndërsa lidhur me situatën e Shkozës, ku shumë banesa do të shemben në sajë të projektit për rehabilitimin e Lanës, Rama nuk ka dashur që ta komentojë.

“Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe se nuk meriton asnjë koment nga Nju Jorku. Ata që kanë shembur pa leje do tu prishen ndërtesat. Patjetër që nuk pranohet që as të dëmshpërblehet dhe as të ledhatohet. Familjet do të akomodohem me mundësitë e tyre. Shteti ka detyrë tu shërbejë qytetarëve. Të bësh shtet të bësh punë dhe të bësh mirëqenie nuk ka shumë rrugë”, tha Rama. /b.l/noa.al/