Transmetuar më 22-09-2017, 18:21

Të gjithë e njohin Bertin nga ekrani dhe natyrën e tij të drejtpërdrejtë për gjithçka që mendon dhe i ndodh përreth. Në situata nga më të ndryshmet, Berti është ai që “lufton” kundër të gjithëve dhe me të gjithë derisa të mbrojë deri në fund idetë e veta.

Edhe pse për të gjithë të tjerët, nuk është gjithmonë kështu, artistit të njohur aq i bën. Nuk e ndal mendimin e tij dhe revoltën për fenomene të ndryshme që vazhdojnë të godasin shoqërinë tonë.

Duke folur për këtë pjesë dhe për botën e showbiz-it në përgjithësi, Berti ishte i ftuar këtë pasdite në Pop Culture përballë Kelvit dhe nuk e pati aspak problem të flasë edhe për personazhet e showbiz-it  ata me të cilët ai po merret prej disa sezonesh edhe në Dance With Me.

Ndërsa në ekran janë shfaqur fotot e disa personazheve të njohur, këngëtarë, aktorë, prezantues, nuk është aspak çudi që Berti një pjesë të mos i njohë. Këngëtaren e njohur, Enca, ai thotë që nuk e njeh fare, nuk e ka dëgjuar ndonjëherë të këndojë, ndërsa kur pa foton e Era Istrefit, Berti tha se është një artiste për të cilën ka shumë respekt, madje është edhe shumë e bukur.

Pas fotos së Erës, Berti dha nga një koment edhe për të tjerë personazhe; për Olta Gixharin, Linda Rein, Mozzik & Getinjo (nuk i njoh fare) e për shumë të tjerë.

Përballë fotos së Ermal Mamaqit, Berti tha se ai është një djalosh me shumë humor. Unë nuk jam shumë për këtë lloj humori, më tepër e gjykoj jashtë ekranit. Po ashtu, Berti dha komentin e tij edhe për balerinën e njohur Klaudia Pepa: “Klaudia është një super talent, një vajzë shumë e edukuar, e sjellshme…” Ngacmimit të Kelvit për reagimet e rrjetit pas videomesazhit të Klaudias për Albin, Berti tha se ky qëndrim i saj është për t’u vlerësuar.

Po kur në ekran u shfaq fotoja e Luana Vjollcës, Berti tha: “Kush është kjo? Të betohem që nuk kam parë asnjëherë si femër duke prezantuar, por fare rastësisht, se ç’i kam dëgjuar një këngë. S’ka lidhje fare. Le të merret me diçka tjetër që bën më mirë…”