Transmetuar më 22-09-2017, 15:35

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e ka quajtur një turp të vërtetë përgjimin e debatit brenda kryesisë së PD-së në seli.

Audio të mbledhjes së djeshme e Partisë Demokratike, e cila u shoqërua me debate dhe tensione, u publikuan sot në media. “Cilindo që i ka realizuar ato, ka bërë një turp të vërtetë. Jo se ato çfarë u thanë në mbledhje kanë ndonjë problem, absolutisht jo, por se kështu shfaqet një mentalitet e tentativë e shëmtuar ‘çimkash’”, tha Shehu për përgjimet.

Statusi i Tritan Shehut

Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PD ishte një takim pune, ku u debatua, u diskutua, u rrahën mendime dhe u arritën konkluzione të rëndësishme me unaniminitet. Debati, qoftë dhe me ngarkesa emocionale, nuk është “krim”, veçanërisht kur përfundimi është krejt pozitiv. Kushdo që thotë të kundërtën për atë mbledhje nuk thotë të vërtetën!! Ndërkaq po dëgjoj në media jo vetëm gënjeshtra, por edhe disa regjistrime audio të asaj mbledhje!!! Cilindo që i ka realizuar ato, ka bërë një turp të vërtetë.

Jo se ato çfarë u thanë në mbledhje kanë ndonjë problem, absolutisht jo, por se kështu shfaqet një mentalitet e tentativë e shëmtuar “çimkash”! Nqs kjo është realizuar me vendosje “çimkash” nga të jashtëm, gjë e mundshme; flet pikërisht për një veprim të inskenuar e ligjërisht të dënueshëm. Nqs kjo është bërë nga dikush brenda mbledhjes, kjo flet për një nivel moral meskin të autoreve, që në fakt kështu meritojnë vetëm përbuzje.

Secili nga ne mund të mendojë siç gjykon vetë, por duhet të ketë guximin nqs dëshiron, që mbas mbledhjes të thërresë gazetarët dhe tu shfaqë atyre hapur mendimet e tij. Të regjistrosh nga brenda apo nga jashtë ato që diskutohen në një mbledhje të mbyllur kolegjesh e më tej veçanërisht t’i publikosh duke i manipuluar ato, për të transformuar atë çfarë ndodhi aty, është shumë larg vlerave minimale njerëzore, morale, politike e bashkëpunuese.

Fjalët a mendimet tona nuk ka pse t’i publikojë ndokush si “skuth”; secili duhet të ketë guximin që ta bëjë vetë këtë nqs dëshiron, me figurë e zë, aq më shumë pa përdorur regjistrime “alla sigurim”. Këtë duhet ta bëjë gjithsecili në politikë ndryshe vetëm politikan nuk është…! /b.l/noa.al/