Transmetuar më 22-09-2017, 09:16

Koreja e Veriut mund të bëjë një test me një bombë me hidrogjen në oqeanin Paqësor. Është kjo ajo që deklaroi ministri i Jashtëm koreano-verior, Ri Yong-ho, duke komentuar deklaratat e liderit Kim Jong-un.

Ai bëri me dije se po merren në konsideratë aksione të një niveli më të lartë, si përgjigje ndaj Presidentit amerikan Donald Trump dhe kërcënimit të tij se “do e shkatërrojmë komplet si shtet”.

“Mund të testojmë bombën më të fuqishme me hidrogjen në Paqësor”, deklaroi Ri në New York, ku po ndjek punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Koreja e Veriut duke nisur nga viti 2006, ka bërë gjashtë teste nukleare, ku më i fundit dhe më i fuqishmi u bë në 3 shtator.

Ndërkohë lideri korean Kim Jong-Un duke folur për mediat vendase tha se “Donald Trump është i çmendur, do i paguajë shtrenjtë kërcënimet ndaj Pyongyang”.

Kim e akuzoi më tej Trump, se nuk është i duhuri për të luajtur rolin e komandantit ndaj një shteti tjetër, madje e cilësoi si ndyrësirë dhe bandit që dëshiron të luajë me zjarrin. /a.y/noa.al