Transmetuar më 18-09-2017, 12:16

Prej pak ditësh, ura e re e Mënikut ka lidhur 1200 banorë të Ndroqit me Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve të urës së re, e cila tanimë u shërben jo vetëm kalimtarëve dhe automjeteve, por do të afrojë më shumë banorët dhe produktet bujqësore të zonës me tregjet në Tiranë.

“Ky është një lajm i mirë sepse këta banorë nuk janë më të izoluar nga qyteti, nga tregu, por janë më afër se kurrë me një urë që vjen si i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrisë shqiptare. Dua të falënderoj shumë Mimi Kodhelin dhe gjithë kolegët e Forcave të Armatosura. Patëm një bashkëpunim fantastik për t’u siguruar që një nga komunitetet më të mira të Tiranës të jetë realisht afër Tiranës, siç janë gjithë komunitetet e tjera”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se në dy vitet në vazhdim, vëmendja do të jetë tek përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, si për rehabilitimin e qendrave të fshatrave, ashtu edhe për ndërtimin e rrugëve lidhëse me Tiranën.

“Në dy vitet e dyta të mandatit tonë fokusi do jetë te qendrat e fshatrave për t’u siguruar që çdo komunitet e ka një pikë ku të mblidhet. Sigurisht, sheshi “Skënderbej” është i rëndësishëm, por qendra e fshatit, qendra e lagjes janë vendet ku kalohet më shumë kohë komunitare dhe ku njerëzit ndajnë kohën e tyre të lirë. Ndaj, do të vazhdojmë me qendrat e fshatrave, pastaj edhe me rrugët kryesore që i lidhin me akset në Tiranë”, u shpreh ai.

Ura ka një gjatësi 60 metra dhe një gjerësi 6 metra, ndërkohë që lartësia e saj është 4 metra. Falë këtij investimi është zëvendësuar ura e vjetër e cila shërbente vetëm për këmbësorët. /k.k/noa.al/