Transmetuar më 18-09-2017, 08:41

Dalin detaje lidhur me biznesmenin të cilit tre ditë më parë iu sekuestruan 4 milionë euro pasuri. Bëhet fjalë për biznesmenin e hidrosanitareve Nikolin Janina, i cili rezulton pronar i kompanisë “Iberia invest” dhe “Alba ceramican” sh.p.k, e njohur ndryshe si “Porcenalosa”.

Ndaj Janinës rezulton edhe një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet spanjolle, ku akuzohet si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Pas verifikimeve të rastit, lidhur me aksionin e nisur për të goditur pasuritë e ardhura nga krimi, prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, ka urdhëruar lëshimin e vendimit të sekuestros prenventive ndaj pasurive të dyshimta të Janinës.

Por u desh më shumë se një muaj e gjysmë kohë, për ekzekutimin e urdhrit të prokurorisë nga policia.

Sakaq Janina po hetohet në gjendje të lirë, ndërkohë që nuk ekstradohet dot në Spanjë, për shkak se mes Shqipërisë dhe shtetit ku kërkohet, nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda sekuestruan këtë të premte, një pasuri me vlerë 4 milionë euro, në pronësi të biznesmenit Janina.

Më konkretisht janë sekuestruar katër apartamente në Tiranë, me një sipërfaqe 450 m2 dhe dy garazhe po në Tiranë, me një sipërfaqe 40 m2.

Është sekuestruar edhe një apartament i ndodhur në Vlorë, me një sipërfaqe 65 m2.

Në vijim është vënë nën sekuestro tokë e ndodhur në zonën e bregdetit Drimadhë, Porto Palermo, Llaman, Amallol në Himarë me një sipërfaqe totale 31.000 m2

Në total me një vlerë tregu pasuri të sekuestruar arrijnë vlerën 4 milionë euro.

Këto pasuri pasi u sekuestruan i kaluan nën administrim Agjencisë për administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave. /a.y/noa.al

Të ardhura nga krimi, sekuestrohen 4 milionë euro pasuri në Tiranë e bregdet