Transmetuar më 16-09-2017, 11:38

Kryeministri Edi Rama reagon ndaj prishjes së kullës së Prek Calit, i njohur si simbol i kryengritjes së Kelmendit, revoltës së parë antikomuniste.

Rama mohon që të ketë gisht ai në prishjen e kullës, ndërsa iu kthehet me ironi demokratëve.

“Unë prishësi i kullës së Prek Calit? Bosh se bosh u mbeti koka o të shkretë që veç shani për çka sajoni vetë, s’ka derman për ju vajmedet”, shkruan Rama në Facebook.

Ky reagim i tij, vjen pasi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, dënoi ashpër prishjen e kullës, si dhe akuzoi Kryeministrin Rama se nuk i duron dot ata që ishin kundër komunizmit.

“Qeveria duhej ta legalizonte restaurimin për atë çka Kulla e Prek Calit përfaqëson për Kelmendin, Malësinë dhe gjithë Shqipërinë. Por Edi Rama nuk mund ta durojë nderimin e një prijësi legjendar anti-komunist si Prek Cali. Se kur kthen pinjollët e Byrosë dhe xhelatët e diktaturës në krye të vendit, të tremb kujtimi dhe hija e Prek Calit. Ky i sotmi është një akt urrejtje por edhe dobësie. Kelmendasit, malësoret dhe mbarë shqiptarët patriotë do tja japin përgjigjen pjellës së keqe”, deklaroi Basha.

Prishja e kullës ka sjellë reagimin e ashpër të banorëve të zonës, të cilët nuk mundën të ndalonin dot shembjen e objektit. /a.y/noa.al