Transmetuar më 15-09-2017, 18:33

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel.

Presidenti vlerësoi angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazëvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan.

Presidenti Meta e siguroi Gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen.

Nga ana e tij Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, veçanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme.

Kryetari i Shtetit dhe Gjenerali Pavel ndanë pikëpamjen e njëjtë mbi politikën e “Dyerve të Hapura” për vendet e Ballkanit dhe u dakortësuan se rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet siguria globale dhe ajo kolektive kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. 

Presidenti Meta shprehu besimin se Takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë do të zhvillohet me sukses. /b.l/noa.al/