Transmetuar më 12-09-2017, 19:00

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi e ka quajtur një fletëpalosje me gabime e lajthitje programin e qeverisë të prezantuar dje e sot nga kryeministri Rama dhe ministrat në seancë plenare. 

Nga foltorja e Kuvendit, Kryemadhi tha se kryeministri është kujdesur t’i qepë një kostum të ngushtë programit që e quan qeveri të vogël, por sipas saj në program nuk ka asgjë konkrete.

"Nuk kanë pasur kohë të shkruajnë. ky është një program batutash të shkruar keq, me gabime dhe lajthitje. Kryeministri është kujdesur që programit t’i qepë një kostum të ngushtë që e quan qeveri e vogël. Kryeministri është kujdesur të shkatërrojë edhe debatin për programin duke mos paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë me parimin si të mos flasim për diçka që nuk ekziston.

Pavarësisht pozicionit tonë opozitar do të donim të diskutonim mbi një program të mirëstudiuar. Ne nuk jemi në politikë për të shkatërruar punën e mirë të kundërshtarëve tanë”, u shpreh Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI i është përgjigjur kryeministrit Rama, me të njëjtën batutë të tij 4 vjet më parë se “Nuk keni parë asgjë akoma”. Ajo tha se 4 vjet më parë kryeministri kërcënonte opozitën dhe shqiptarët se nuk kanë parë asgjë akoma, ndërsa theksoi se dhe Rama nuk ka parë asgjë akoma. Kryemadhi tha se Rama u kujdes që në 4 vite Shqipëria të mbillej e gjitha me kanabis.

“Katër vjet më parë kryeministri ynë ju drejtua shqiptarëve me batutën e famshme, nuk keni parë asgjë akoma, batutë e frikshme që i drejtohej opozitës. Unë mendoj se është meritë e kryeministrit që e bëri Shqipërinë nga principatë kanabiste të Lazaratit në Republikë kanabiste. Vërtetë ne nuk kemi parë asgjë akoma, por as ti nuk ke parë asgjë akoma.

Rama bleu një mandat të ri, por nuk pati kohë që të bëjë një program real, por një program batutash. Nuk do të kemi në letër një strategji qeverisjeje, për shëndetësisë, pensionet në xhunglën e ashpër shqiptare. Kryeministri është kujdesur që të mos ketë debat mbi programin, duke mos sjellë program.

Si mund të krenohet kjo qeveri për rritje ekonomike, kur të ardhurat e shqiptarëve janë si 10 vite më parë. Nuk mund të ketë rritje ekonomike, nëse nuk ka të ardhura direkte në xhepat e shqiptarëve. E vërteta është se rritja ekonomike ka qenë më pak se inflacioni. Shqiptarët janë varfëruar më shumë’, – u shpreh Kryemadhi. /b.l/noa.al/