Transmetuar më 12-09-2017, 13:58

Policia kufitare ka shpëtuar nga moti i keq në det shtatë persona në Sarandë, Ksamil dhe Himarë.

Në Sarandë kanë qënë tre pushues, të cilët kishin shkuar me varkë në plazhin e Krorëzit, por nuk kishin mundur  të ktheheshin për shkak të kushteve jo të mira atmosferike. 

Policia kufitare u ka ardhur në ndihmë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg.  Ndërkohë tre persona të tjerë, mes tyre dhe dy polakë janë kthyer ditën e sotme duke përshkuar malin nga Krorëza në Kakome. 

Ndërkohë në Ksamil roja bregdetare i ka ardhur në ndihmë tre pushuesve kosovarë të cilët kanë rrezikuar të mbyteshin në zonën e Shkëmbit të Miseve, pasi mjeti kanoe me të cilin udhëtonin është fundosur si pasojë e motit të keq.

Në Drimadhë një 26-vjeçar polak ka kërkuar ndihmë pasi kishte hyrë për tu larë dhe duke notuar e ka marrë rryma. Shërbimet policore i kanë shkuar menjëherë në ndihmë, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij në breg shëndoshë e mirë.

Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, janë shoqëruar në terren tokësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. /b.l/noa.al/