Transmetuar më 11-09-2017, 12:20
Publicitet

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi uron të gjithë fëmijët me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor.

Ajo thotë se është një ditë e veçantë sot për të gjithë fëmijët që ringjisin shkallët e dijes dhe sidomos për ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Urimi im shkon për të gjithë nxënësit anekënd Shqipërisë, ata në qytete, por dhe për ata fëmijë që përpiqen drejt rrugës së vështirë drejt dijes edhe në fshatrat me të thellë të Shqipërisë. Dhe për ta rruga është më e vështirë për shkak të kushteve. Por të gjithë sot duhet të ndihemi krenarë për brezin e ri të fëmijëve tanë, me besimin se ky do të jetë brezi që do të sjellë ndryshimet drastike dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve”, shkruan Kryemadhi në Facebook.

Ajo shpreh bindjen se këta fëmijë do të jenë e ardhmja që Shqipëria meriton për të mos qenë më peng i mafias dhe oligarkëve që kanë në dorë fatet e Shqipërisë.

“Me dëshirën dhe përkushtimin e të gjithëve ne, do të jenë ata që sot ulen në bankat e shkollës, e ardhmja e ndritur dhe drejtuesit që do të ringrejnë Shqipërinë dhe shqiptarët në dimensionet e vërteta evropiane”, thotë në mbyllje liderja e LSI. /a.y/noa.al