Transmetuar më 10-09-2017, 20:05

Nga Agron Tufa 

Edhe pse është folur shumë për një epokë "të rënies së ideologjive", fill pas gremisjes së sistemeve totalitare komuniste në vitin 1990, rizomat e hidhura të nostalgjisë totalitariste shpërthejnë gjithkund në Europë. Por torfën dhe fermentin më të plleshëm e gjejnë, padyshim, në Shqipëri.

Sa për Europën e lirive dhe të kujtesës, ajo di si të ndeshet me idetë totalitariste: ajo i ka dhe ligjet, dhe mekanizmat, dhe higjenën e ndërgjegjes, dhe syçeltësinë e duhur. Europa e pasluftës së Dytë Botërore ka vazhduar të denazifikohet e dekomunistizohet dhe vazhdon ende.

Problem mbetet Shqipëria me toksikatet e saj të paprekura ideologjike. Te ne vazhdojë të ardhangen frutat e helmëta mendore, që topisin mendjen dhe zeherosin gjakun e gjeneratave, sikundërse doli pak muaj më parë edhe nga rezultatet e sondazhit të OSBE-së, në të cilin 49% e të anketuarve ishte pro rikthimit të regjimit të Enver Hoxhës.

Një nxitje të tillë, një helmatisje cinike e ndeshëm këto ditë në deklaratën z. Servet Pëllumbi, ish-profesor "marksist" (por, në fakt, enverist), ish-deputet në dy dekada e, që, për dekadën e tretë, ia ka kaluar stafetën parlamentare të birit. Por çfarë tha z. Pëllumbi? Si mjaft të tjerë të falangës së tij më parë, propagandoi e mashtroi publikisht:

 "Në asnjë vend të Europës Lindore  nuk flitet më për antikomunizëm, pas 27 vjetësh nga ndryshimi i sistemit dhe konsolidimi i demokracisë. Tezat për antikomunizëm tregojnë varfërinë e ideve, mendimeve dhe qëndrimeve <...> . Pas 27 vjetësh nuk mund të bëhet fjalë për antikomunizëm në Shqipëri". ("Panorama" 9 shtator 2017).

 Përkoi që këtë "konstatim" të profesorit enverist e lexova bash me 9 shtator, teksa udhëtoja për në Postribë dhe Shkodër me rastin e 71 vjetorit të "Kryengritjes së Postribës" (9 shtator 1946). Më habiti se me çfarë syzesh e lexojmë realitetin historik unë dhe profesori enverist! Ai, me mashtrimin, se "as që mund të bëhet fjalë për antikomunizëm në Shqipëri", ndërsa unë me të ngjashmit e mi - me misionin për ta përkujtuar atë ngjarje të përgjakur me terrorin që pasoi: 78 të pushkatuar, qindra të burgosur e të internuari, tortura dhe shtëpi të djegura, çdo ditë reprezalje dhe gjyqe në qytet, deportime dhe luftë klasash, përndjekje dyzetëvjeçare sipas biografisë.

 Kuptohet që profesorit i leverdis dhe përpiqet të ushtrojë ndikim mbi njerëzit, që ta besojnë, të nxisë kështu, amnezinë e përgjithshme, se kështu i thotë atij muza internacionale ideologjike. Syzet e tij e fshijnë realitetin ku bëj pjesë unë dhe qindra mijëra të tjerë. Alibia e profesorit me Europën, sigurisht, është një mashtrim i lirë dhe banal dhe ne, më poshtë, do t'ia heqim dhe maskën, dhe kallajin.

Nguti dhe padurimi i nxit inertet komuniste të kompensojnë mungesën e realiteteve, duke i sublimuar ato me sajesa. Kështu, disa muaj para profesorit, një çerek diplomati e çerek publicisti i dështuar, i frynte në vesh këshillën e vet kryetarit të opozitës, duke i thënë, se "me kuajt e ngordhur të antikomunizmit nuk fitohen zgjedhjet as në Europë, jo më këtu...". Pra, nuk është rastësi kjo djegë e profesorit enverist, por dukuri.

E, nëse jam i saktë, atëherë ku duhet kërkuar "habia filozofike" e kësaj dukurie? Nëse e dekonstruktojmë, na përftohet besimi i kulluar e mitik i profesorit për rikthimin e kohëve të arta, me në krye shokun Enver. Me logjikën e tij, ashtu siç po shkojnë punët në vendin tonë, profesori është në rregull: gjithçka bën vaki e vakia s'ka të sosur.

Veçse për ta pastruar terrenin e manipulimit, logjikës përllogaritëse të profesorit i duhet t'i heqë qafe si të paqena krimet e komunizmit dhe kujtesën e njerëzve për të. Që ta heqë qafe këtë pengesë, profesori shpif, mashtron, falsifikon dhe thërret në ndihmë Europën, dikur të urryer, duke e përfshirë krejt kontinentin si dëshmitar të gënjeshtrës së vet.

 Besimi dhe shpresa e profesorit enverist sugjeron, që me pak hile, mashtrime e dredhi, mund të arrihet vetëpërtëritja e plotë e totalitarizmit në këtë vend, deri në riardhjen e Enverit. Sigurisht, ai nuk është aq budalla, sa të injorojë faktin e vdekjes fizike të diktatorit.

Por, arketipi psikoanalitik i të menduarit të tij, ma do mendja se gjen shpjegim të mjaftueshëm me teorinë e "Dy trupave të mbretit", për të cilën profesori as që ia ka idenë. Kjo teori e ka zanafillën në një cause célébre që lidhej me dukatin e Lankasterit të cilin mbretërit anglezë të dinastisë së Tudorëve e kishin patur gjithmonë pronë private, por jo të Kurorës. Shkurtimisht teoria e hartuar thotë “Mbreti ka dy trupa, një trup natyror dhe një trup politik. Trupi natyror është i vdekshëm, u nënshtrohet sëmundjeve që vijnë nga natyra apo aksidenti, papjekuria e fëmijërisë apo matufepsja e pleqërisë, njëlloj si gjithë njerëzit e tjerë, por trupi i tij politik nuk mund të shihet apo preket sepse lidhet me Qeverisjen e popullit dhe përkujdesin e të Mirës publike prandaj ky trup është i paprekshëm nga sëmundjet që dëmtojnë trupin natyror. Për këto arsye, ajo që bën mbreti me trupin politik, nuk mund të zhvlerësohet nga cilado paaftësi e trupit të tij natyror (Kantoroëwitz: 1957,7) .

 Rrjedhimisht një teori e tillë merr vlerë universale përshtat me enveristët tanë, sipas postulatit të mësipërm: "Enveri vdiq, si trup fizik, por rron gjallë trupi i tij politik, enverizmi, i cili duhet reanimuar". Prandaj, për këtë qëllim, nuk duhen kursyer të gjitha mjetet në lojë. Kjo dëshirë e shtyn "natyrshëm" profesorin të thërrasë "jallan shahit" Europën, për të ilustruar simulimet e tij imagjinare e kriminale. Por në realitet, pikërisht ballafaqimi me Europën për këto çështje të kujtesës ia heq profesorit kallajin dhe maskën. Le t'i renditim disa fakte kokëforta.

 Komisioni Evropian në Dhjetor 2010 ka përgatitur një raport për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, me temën e sipërcituar . Në këtë raport, ndër të tjera, citohet: “Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci”. “Gjykimet e autorëve, mekanizmat e kërkimit të së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi dhe kompensimi i viktimave dhe kthimi i pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”. “Katër shtete anëtare të BE-së kanë legjislacionin kombëtar kundër mohimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, i cili përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste:

– Në Republikën Çeke: kodi penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist, komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.

– Në Poloni: mohimi publik dhe kundërfaktual për krimet naziste, krimet e komunizmit dhe krimet e tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimet e luftës është një vepër penale.

– Në Hungari: refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste - është një vepër penale.

– Në Lituani: lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimeve të kryera nga BRSS  (Bashkimi Sovjetik), ose Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale”. Ka disa aspekte mbi të cilat po punohet, e që janë:

• Edukimi dhe ndërgjegjësimi

• Projektet kërkimore

• Simbolet e totalitarizmit

• Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve

 Në raport gjithashtu citohet: “Më 16 qershor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet, duke deklaruar se: “Për të forcuar vetëdijen Evropiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës së trazuar të Evropës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin”.

 Ky pra, është qëndrimi i Europës reale dhe vendeve ish-komuniste të BE, dhe jo ashtu siç mashtron apo siç do t'i vinte për hosh profesorit mashtrues e nostalgjik. Në akord me ligjet europiane mbi kujtesën, i takon, deduktivishit, që z. Servet Pëllumbi duhet të ndiqet penalisht.

 Z. Servet Pëllumbi të na ndjejë, por është tej të pamundurës, që të kyçen dhjetramijëra familje në amnezinë e propozuar prej tij. Është e nevojshme, madje pa asnjë spekulim filozofiko-ideologjik, që profesori dhe simahorët e diktaturës të çarmatosen për pak nga paja ideologjike e nostalgjia enveriste, të bëhen thjesht njerëz, në vetë të parë, ta imagjinojnë për një grimë veten në vendin e atyre dhjetramijëra fëmijëve, të cilët u rritën jetimë e në internim, pasi terrori komunist ua pushkatoi prindërit, pa u lënë as edhe një vend ku të gjenin eshtrat. Unë nuk besoj se ish-komunistët si z. Servet Pëllumbi janë krejtësisht të privuar nga ndjenjat e parëlindura prindërore të rracës njerëzore, sa të mos mund të rrokin me mend e, ndoshta, edhe me zemër, pasojat e këtij pengu të përjetshëm, të pangushëllim. Dhë nëse Europa me përvojën e saj na mëson, se "pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin", z. Pëllumbi duhet të thellohet më mirë në "habinë filozofike", se sa viktima të pafajshme ka shkaktuar terrori komunist? Përse, me cilën të drejtë tokësore a hyjnore u pushkatuan ata në kohë paqjeje? Ku i kanë varret mbi njëmbëdhjetë mijë qytetarë (aq sa ka mundur të evidentojë me emra e data gazeta "Liria" e ish-të përsekutuarve politikë deri në momentin e ndërprerjes - pranverë 1997)? Çfarë kemi bërë ne për ta, për t'ua kthyer eshtrat familjeve? Çfarë masash kemi ndërmarrë ne si shtet për fashitjen dhe rehabilitimin e kësaj traume kombëtare? Këto, sa për fillim, pa u shtyrë më tej në malin e morekujesë me pyetje të pafundme.

 Por z. Servet Pëllumbi nuk do. Dhe jo vetëm nuk do, por mashtron. Dhe jo vetëm mashtron, por përfshin në mashtrimin e tij Europën dhe BE-në. Ç'na mbetet të bëjmë atëherë? A ka njerëz të besueshëm profesori, miq e të afërt, shokë e dashamirë, që t'i pëshpërisin butësisht në vesh, pa ia vrarë ëndërritjen me sy hapur të pleqërisë: "boll more burrë, se le nam! Turp me rrejt..."!? 

 Në mbyllje po i kujtoj profesorit të filozofisë m-l, se filozofët e vjetër grekë, sofistët, e shumëzonin defenitivisht me zero bashkëbiseduesin, sapo e kapnin në kontradiktë flagrante me veten e vet.