Transmetuar më 07-09-2017, 13:08

bKryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punimeve të kopshtit 18 në Njësinë nr. 2 në Tiranë, nga ku u shpreh i kënaqur për ecurinë e tyre.

Ai shtoi se kopshti përveçse do të ofrojë kushte më të mira për fëmijët, do të ulë në të njëjtën kohë edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.

“Kësaj here jam disafish më i lumtur sepse kopshti i fundit në “buqetën” e kopshteve që kemi rregulluar në Tiranë qëllon që është kopshti im dhe siç thotë ajo shprehja: “Këpucari këpucët e veta i rregullon në fund”, edhe kopshti im në fakt po rregullohet i fundit, megjithatë është lajm i mirë jo vetëm për mua, por edhe për prindërit që fëmijët e tyre janë të detyruar t’i çojnë në kopshtet 40 ose 41”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se me ritmin që kanë ecur deri tani punimet, kopshti i rikonstruktuar do jetë gati për fëmijët në fillim të tetorit, ndërsa nënvizoi se ai do ketë tashmë një kapacitet më të madh se më parë, thuajse i dyfishuar.

Sipas kryebashkiakut, përveç rikonstruksionit të godinave dhe ambienteve ekzistuese po punohet edhe për hapjen e disa çerdheve dhe kopshteve të reja në ato zona, ku edhe ka nevojë më të madhe dhe ku këto institucione mungojnë.

“Mezi pres që në këtë vit të ri shkollor të bëjmë edhe disa hapje të kopshteve e çerdheve të reja. Po shikojmë disa nga zonat e tjera me po aq fluks, në njësinë 5”, tha Veliaj.

Ai shtoi gjithashtu se është programuar që vitin e ardhshëm t’i kushtohet një vëmendje më e madhe çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale për t’u siguruar që Bashkia e Tiranës i trajton qytetarët e vet njësoj, pavarësisht faktit nëse jetojnë në fshat apo në qytet.

“Kemi planifikuar që vitin tjetër fokusin ta kemi në kopshtet e çerdhet e zonave rurale. Kemi shumë kërkesa në Ndroq, në Pezë, në Vaqarr. Do të duhet të ofrojmë shërbime edhe atje, përndryshe do të riskojmë që të përsërisim historinë e shkollave ku të gjithë transferohen në Tiranë nga zonat rurale, sepse preferojnë shërbimin e Tiranës. Nëse do të ofrojmë të njëjtin shërbim kudo, atëherë do ulet edhe ky presion për shërbime, edhe në trafik, por edhe në kosto financiare të gjithë atyre që duhet të lëvizin përditë, për të marrë shërbimet në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve publike ka rritur ndjeshëm edhe kërkesën e qytetarëve për t’i çuar fëmijët e tyre në to.

“Ngaqë kopshtet publike po bëhen më mirë edhe se privatët, kemi edhe një kërkesë të jashtëzakonshme. Sot raportet janë 8 me 1; pra, për një vend në kopshtet publike ka 8 kërkesa. Për sa kohë që ka vetëm një vend për çdo 8 kërkesa, 7 do mërziten, por ajo që kemi bërë me shumë kujdes është që t’i japim prioritet atyre që prej kushteve ekonomike, dhe situatës sociale që kanë në familje, të kenë prioritet dhe të ndiejnë ndihmën e Bashkisë”, shtoi kryetari i bashkisë.

Ai deklaroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë punën me çerdhet dhe kopshtet duke subvencionuar në të njëjtën kohë edhe shërbimin që marrin fëmijët në to, por theksoi se gjithmonë është e nevojshme edhe ndihma e qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi në mënyrë të veçantë të gjitha edukatoret e kopshteve dhe çerdheve që shërbyen për t’i mbajtur hapur gjatë muajve të verës, duke sakrifikuar edhe pushimet e tyre.