Transmetuar më 01-09-2017, 22:55

Në moshën 34-vjeçare, karriera e Ansi Agollit mund të cilësohet e kompletuar. Pas Europianit 2016, tashmë kapiteni kuqezi do të luajë edhe në grupet e Champions me Qarabag dhe kapiteni kuqezi i përgjigjet me sportivitet ngacmimeve nëse ndeshja me Italinë, që mbyll këtë edicion mund të jetë e fundit me Kombëtaren. “Njëherë luajta në Europian… dy herë sikur nuk shkon”, tha ai.

Për të shmangur çdo keqkuptim mendoi Panucci. Trajneri konfirmoi se Agolli mbetet një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Për momentin Ansi është në gjendje të mirë. Për largimin e tij nga pas gjashtë apo shtatë vjetësh mund të flasim për këtë fakt. Nëse një ditë ai nuk do të jetë në gjendje të mirë do të bisedojmë. E rëndësishme është se për moshën që ka, ai punon më shumë, jo më pak”, tha Panucci.

Kapiteni foli për atmosferën në skuadër prej emërimit të Panuccit dhe ndihmën e dhënë për trajnerin nga lojtarët më të vjetër të Kombëtares.

“Atmosfera është mjaft e mirë. Kemi rreth pesë ditë që stërvitemi me trajnerin. Ka një ndryshim nga ana e motivimit, pasi çdo trajner i ri e motivon më shumë skuadrën. Kemi punuar seriozisht dhe me qetësi, në mënyrë që ato çfarë kemi marrë gjatë kësaj jave ti japim në fushë. Nuk mund të bëhen krahasime.

De Biasi punoi për pesë vite dhe fituam eksperiencë të madhe. E respektojmë për atë që ka dhënë. Panucci ka filozofinë e tij. Janë dy trajnerë të ndryshëm që punojnë me metoda të ndryshme. Ne lojtarët me më tepër eksperiencë jemi munduar ta ndihmojmë në këtë periudhë, sepse ishte java e tij e parë në ekip, për të kaluar vështirësitë e fillimit”, tha Agolli.