Transmetuar më 01-09-2017, 08:32

Ditën e sotme gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë festën e Kurban Bajramit.

Urimeve për këtë festë iu është bashkuar dhe Kryeministri Edi Rama.

Ai ka zgjedhur një fotografi nga xhamia e Beqarëve në Berat për të uruar këtë festë.

“Mirëmëngjes dhe gëzuar Kurban Bajramin me këtë foto të xhamisë së Beqarëve në Berat, një objekt i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore, ku po punohet intensivisht për restaurimin e saj, bashkë me Teqenë e Helvetive, Xhaminë e Et'hem Beut në Tiranë dhe Xhaminë e Pazarit në Gjirokastër”, shkruan Rama në Facebook.

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit.

Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.

Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Personi obligohet me therjen e një kurbani kur është mysliman, me mendje të shëndetshme dhe adult; nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur. /a.y/noa.al