Transmetuar më 01-09-2017, 07:58
Publicitet

Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ashtu si çdo vit edhe mëngjesin e sotëm në në orën 06:50 në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, besimtarët bënë faljen e Namazit.

Kreu i KMSH, Skënder Bruçaj në mesazhin e tij të urimit tha se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar.

Ai tha se besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

“Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë,  dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë. Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë”, tha kreu i KMSH.

Informacion mbi festën e Kurban Bajramit 

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit.

Kubani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.

Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.

Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Personi obligohet me therjen e një kurbani kur është mysliman, me mendje të shëndetshme dhe adult; nuk duhet të jetë udhëtar dhe duhet të zotërojë mundësi financiare minimale të përcaktuara fetarisht për t’u quajtur i pasur.

Kafsha për kurban

Personi që do të kryejë këtë adhurim duhet të zbatojë disa kushte përsa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.

Kafsha hallall për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra dykëmbëshët si pula, rosa, pata, gjeli i detit etj., nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartëpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por për sa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.

Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit, atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia, duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli, duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja, duhet të jetë mbi pesë vjeç.

Delja dhe dhia mund të theren si kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi, ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet këtyre shtatë personave në mënyrë të barabartë.

Kafsha që theret si kurban me qëllim adhurimi, duhet të jetë e shëndetshme, e majmë dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, ashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë plotësimin e kushteve të kurbanit, si për shembull të jetë e sëmurë keq, e verbër, sakate, me brirë të shkulur ose të thyer, me bisht apo vesh të prerë dhe me pjesën e madhe të dhëmbëve të rënë.

Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të bajramit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë. Përgjithësisht dhe më e preferueshme është që kurbani të theret në ditën e parë. Por ata që s’gjejnë rast për ta therur ditën e parë, mund ta therin edhe ditën e dytë a ditën e tretë.

Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë.

Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës.

Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

Ndarja e mishit të kurbanit

Dijetarët islam kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jepet fqinjëve ose të afërmve.

Duhet theksuar se mishi dhe lëkura e kurbanit nuk lejohen të shiten. Lëkura mund t’i jepet një institucioni bamirës, mund të përdoret si sexhade në shtëpi ose të shitet vetëm nëse paratë e saj do të jepen si sadaka.

Gjithashtu në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. /a.y/noa.al 

Loading...