Transmetuar më 31-08-2017, 11:04

Nga Artur Zheji

Tanimë nuk ka as numra dhe as teka dhe as protesta të brendshme. Partia Socialiste e gjeti më në fund Ustain që paskësh ëndërruar ta magjepste dhe ta nënshtronte, njëherë e mirë, si dikur, kohë më parë Nënën e saj, Partinë e Punës. 

Nuk mbetet tjetër veçse të lëvdojmë Ramën për “paqen” dhe gjumin e ëmbël që i dha kësaj Partie, si të ishte kjo parti fodulle dhe pordhace e dënglaxheshë, një femër kapriçioze, në pritje të mashkullit të duhur, që i dominon trupin dhe mendjen.

U harruan dhe me sa duket përfundimisht, betejat politike kundër Fatos Nanos, shkërdhatokracia e Dritëroit simpatik, rebelimi i panegociueshëm i Metës, kokëfortësia e Majkos, krenaria e zysh Artës, zëri kundra dhe i zhurmshëm i socialistëve plot gjallëri dhe “rrëmujaxhinj” të paparë, por me botë të pasur dhe me idera të krisura, në kërkim të dëshpëruar të kohës së humbur…

Asokohe të gjithë kërkonin diçka të tyren, të re, të ndryshme, kundra rrymës dhe me ca si ideale të natyrshme dhe të sinqerta reformatore.

Porse i lëvdueshmi Rama, në mënyrë të pabesueshme për shumëkënd, vuri dorë mbi të gjithë, i qetësoi, i rehatoi, i dystoi, i paqtoi, u mbylli gojën, u arnoi ëndrrat, dhe pra, si asnjëherë më parë, pas largimit edhe të klithmës së fundit të Blushit, e ka Kalanë Socialiste të fortë, të shëndoshë dhe të shëndetshme dhe të “pastër” e pa iluzione.

Ka rekrutuar një brez të ri dhe të qartë, mjeshtra të aritmetikës politike, që e dinë mirë se kush është Njëshi dhe kush është “0” dhe kush janë “000…” që vijnë pas Njëshit!

Një harmoni perfekte dhe e admirueshme.

Çuditërisht edhe në mediat pasanike shqiptare, është po ashtu, të gjithë pronarët e kanë mendjen te “kolaterali”, sipas parimit se çfarë do të kapim sot dhe se çfarë do të shqyejmë nesër dhe kuptohet : Rroftë Qeveria!

Opozita do dhe mjaft kohë të merret me veten dhe të përballojë edhe joshjet e Ustait Kryeministër, që u fut duart në tule si garip, dhe depërton edhe në magjet e tyre opozitare dhe u shkëput copëra të rëndësishme, duke hapur ankande të fshehta dhe të efektshme.

Sepse është krijuar bindja që vetëm Natyra e largon tashmë Ramën nga pushteti dhe jeta është e shkurtër për të gjithë, ndërkohë që vetë jeta, bëhet përditë më e shtrenjtë.

E pra Gjumë i Përgjithshëm në PS, por edhe përtej saj. Mos ndoshta është kështu më mirë?

Shqiptarët janë të lodhur nga luftërat politike, të cilat nuk kanë sjellë ndonjë zhvillim, përveçse “vërrave të zhurmshme në ujë”, mos është pra më mirë të bëhemi të gjithë me një parti dhe me një udhëheqës dhe le të dalë ku të dalë?

Shoqëria është përcaktuar tashmë: Të pasurit do të bëhen gjithmonë e më të pasur dhe të varfrit do të bëhen gjithmonë e më të varfër, ky trend nuk ndryshon, nga ndryshimi i pushteteve dhe i pushtetarëve pushtetmbajtës.

Njerëzimi ka jetuar me mijëra vjet për mrekulli nën Monarki! Mjafton që monarkitë të jenë të ndritshme!

Çfarë shpikje budallaqe dhe e rreme ishte kjo Republika dhe aq më tepër Demokracia? Sigurisht marrëzira poetësh dhe filozofësh.

Shikoni bletët për shembull: kanë miliona vite që ushqejnë Mbretëreshën e tyre me mjaltë dhe Mjalti është mrekullia më e përsosur e natyrës, ushqim dhe shëronjës njëherësh. Por që buron nga skllavëria e përjetshme e bletëve, që s'kanë bërë mençurisht asnjëherë kryengritje… e pastaj? Mos ndryshojnë gjë cilësitë e mjaltit?

Prandaj dhe, në pritje të qeverisë së re, të rrimë urtë e të mos lodhemi, ka kush mendon dhe për ne, ka kush na udhëheq, ka kush rri pagjumë në rojë të gjumit tonë, ka kush do të ndërtojë e do ta mbushë jetën tonë me ngjyra dhe dizajn mjeshtëror.

Nga ne kërkohet vetëm të bëjmë gjumë të paqtë, bindje dhe pak skllavëri, se të mirat pastaj vijnë vetë dhe vetvetiu…