Transmetuar më 26-08-2017, 20:59

Nga Artan Fuga

Ishte një rasti i veçantë dhe i suksesshëm që pa kaluar ende vapa e gushtit kryeministri i Shqipërisë ja arriti të mbledhi kryeministrat e rajonit në Arapaj. Në protokollin diplomatik kjo konsiderohet potencë ftuese që është domethënëse.

Aq më shumë në një stinë vere, dhe sidomos pas zgjedhjes së tij si shefi i forcës qeverisëse politike, madje dy ose tri ditë sesa ai të shpalli qeverinë e re.

Deri këtu mirë.

Por, si qytetarë ne duam të dimë se çfarë u bisedua, cili ishte qëllimi i mbledhjes dhe cfarë u tha.

Asnjë lajm, asnjë informacion substancial, asnjë sinjal nga takimi.

Mirë që informacioni zyrtar e ka gjykuar të arsyeshme të mos lëshojë asnjë rreze drite nga porta e mbyllur me kanata e takimit, po media, media more, media, si është e mundur që nuk ka pasur fuqi, nuk tregon interes, nuk penetron, nuk pretendon, nuk kërkon të marri informacione mbi këtë mbledhje.

Nuk është pak, një mbledhje rajonale, në nivel kryeministrash, mblidhen kokat drejtuese ekzekutive ballkanike në Arapaj dhe media hesht.

Njoftime krejt qesharake dhe në pragun e budallallikut. Jo hiq kravatën, jo vëre kapelen bashkë me kapotën, jo vish atlete jo dil me sandalle, dhe asgjë, asgjë tjetër për be.

Unë e di që po t’i lësh gazetarët e rinj shqiptarë, ata të marrin gjak në vetull, ta nxjerrin informacionin nga gurmazi me çengela se janë të zotët, mirëpo ata nuk i lënë shefat e tyre dhe ndofta edhe pronarët.

E dinë pronarët e medias se kanë një rol që shkon shumë më tej se biznesi dhe që ka të bëjë me informimin e qytetarit?

Apo fle media?

Përse erdhën?

Cfarë thanë?

Cfarë mendojnë për politikat e përbashkëta në Ballkan?

Cfarë mendojnë për Shqipërinë, për shqiptarët, për Kosovën, për integrimin europian?

Hiç, asgjë, a thua se ishte mbledhur ndonjë ekip futbolli under 21 për stërvitje, a thua se ishte ndonjë kurs shoferash, dhe jo një mbledhje me krerët ekzekutivë të rajonit.

Si është e mundur që as opozita e Guomindanit nuk flet e nuk ngre zërin për këtë heshtje mediatike dhe informative? Apo as e vëndos ujin në zjarr, sepse e ka zakon të kujtohet dy javë para zgjedhjeve pas katër vitesh!

Po ne si qytetarë, të interesuar për fatet e Shqipërisë dhe të rajonit, në këto kohë të ngatërruara dhe plot pikëpyetje duam të dimë.

Paguajmë qeverinë, ajo nuk na informon.

Paguajmë për informacionin e medias? Ajo nuk ndihet.

Paguajmë opozitën nga paret tona që merr nga buxheti, edhe ajo hesht.

Ore mos ka mbaruar cdo gjë, dhe ne më në fund kemi humbur vullnetin për të vepruar.

Mos kemi humbur si komb edhe vullnetin për të pasur vullnet!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al