Transmetuar më 21-08-2017, 19:41

Bie në pranga një grua në Tiranë për shkak se po kryente ndërtim pa leje në një aktivitet privat.

Mësohet se në pranga ka rënë Shiqere Hakaj, 51 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu nga ana e  Sektorit për Krimin Ekonomiko Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u proceduan penalisht dy Inspektorë të Kontrollit në terren të Policisë Bashkiake Tiranë:

A.G., 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Me detyrë specialist pranë Inspektoriati Mbrojtjes Territorit, Bashkia Tiranë.

G.P., 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Sabri Tefiku”, me detyrë Inspektor i Kontrollit në terren i Policisë Bashkiake Tiranë.

Proçedimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje, shpërdorim detyre”, pasi gjatë ditës së sotme në vendin e quajtur "Rruga e  Elbasanit", pranë Parkut të Liqenit Artificial, shtetasja Shiqere Hakaj ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kopetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.

Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje" dhe "Shpërdorim detyre".

Po në vijim të veprimeve në lidhje me këtë ndërtim pa leje, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u morën masa administrative për punonjësit e policisë;

-Përjashtim nga Policia i Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet që mbulon zonën.

-Pezullimin nga detyra e Patrullës së Policisë që mbulon këtë sektor pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.

-Pezullimin nga detyra e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.

-Pezullimin nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr.1.

Po në lidhje me këtë vepër penale  nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat janë kryer veprime proçeduriale penale dhe po vazhdojnë të kryhen veprime të tjera  mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit të Policisë nr 1 Tiranë, të cilët kanë marrë dijeni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarte të punës./a.k/noa.al/