Transmetuar më 21-08-2017, 09:58

Zbulohen detaje të reja lidhur me krimin në familje që ndodhi këtë të diel në zonën e Kamzës, ku burri vrau gruan dhe më pas i dha fund jetës.

Rreth orës 11:00 të së dielës, 65-vjeçai Halil Lita qëllo me automatik kallashnikov bashkëshorten Dije Lita 60 vjeçe, në kuzhinën e vilës së tyre tre katëshe.

Mësohet se çifti kuksian prej disa vitesh ishte vendosur në zonën e Frutikulturës në Kamëz, ndërsa jetonin të vetëm, pasi tre vajzat i kishin të martuara, ndërsa dy djemtë ishin emigrantë.

Dyshohet se ka qenë një zënkë e momentit ajo që ka përfunduar në tragjedi ku Halili ka rrëmbyer armën dhe ka qëlluar të shoqen në kokë, duke e shpërfytyruar.

Në gjendje të rënduar psikologjike, ai i ka thirrur të vëllait që ndodhej në banesën ngjitur duke i thënë, “Gjithçka u bë, mbaroi. Nuk e kthej dot më pas”.

Pas kësaj ai është rifutur në banesë, ku me armën me të cilën vrau të shoqen, qëlloi edhe veten me plumb në kokë. Pavarësisht nxitimit të vëllait të Halilit, ai është përballur me trupat e pajetë mes një pellgu gjaku të të afërmve të tij.

Mësohet se bashkëshortët Lita ishin në gjendje të mirë ekonomike dhe ishin të respektuar në zonë, duke mos u njohur si natyra problematike.

Paraprakisht dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për motive xhelozie në çift, por kjo pistë mbetet për t’u vërtetuar. /a.y/noa.al