Transmetuar më 20-08-2017, 18:56

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati reagon në lidhje me propozimin e autoriteteve ligjzbatuese të Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë, për shkak se sipas Amsterdamit zyrtar janë rritur grupet kriminale shqiptare dhe kërkesat për azil.

Duke “thumbuar” opozitën, por duke mos konfirmuar apo përgënjeshtruar raportin që zbardhi media e huaj dhe më tej ajo shqiptare, Bushati komenton deklaratat e PD dhe LSI duke i cilësuar zërat reagues, si “gjinkallat e dëshpëruara të 25 qershorit”.

“Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë”, shkruan Bushati.

Ndërkaq drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj tha se nuk ka pasur ankesa nga Holanda në lidhje me këtë gjë.

Por një raport i autoriteteve holandeze doli në dritë dhe në të kërkohej që mbretëria e Holandës të marrë masa për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, si shtet, Holanda, ose/edhe në tërësi vendet e zonës Schengen.

Që nga viti 2010 kur vendin e drejtonte qeveria e kryeministrit Sali Berisha, u hoqën vizat gjashtëmujore me të drejtë qëndrimi deri në tre muaj në vendet e zonës Schengen. Të gjitha llojet e tjera të vizave janë ende në fuqi për shqiptarët. /a.k/noa.al/

***

Policia dhe Prokuroria Holandeze kanë hartuar një raport ku kërkojnë rikthimin e detyrimit të vizave për shtetasit shqiptarë në hapësiren Schengen. ABC News ka siguruar dokumentin, i cili flet se është pikërisht rritja e kriminalitetit nga bandat shqiptare ai që çon në një kërkesë të tillë.

Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësirën Shengen. 

Pas problematikave në rritje te kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia Holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë Holandeze kanë këshilluar Qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit Shqiptarë në zonën Schengen. Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, i cili i është nisur për këshillim qeverisë, ku kërkohet pikërisht rivendosja e regjimit të vizave.