Transmetuar më 20-08-2017, 11:10

Partia Demokratike reagon lidhur me aksidentin e një jave më parë, ku deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, përplasi për vdekje një këmbësor.

Në një deklaratë gjatë paradites së kësaj të diele PD thotë se, u bë një javë që deputeti mik i Edi Ramës, Aqif Rakipi, ka ikur nga vendi i ngjarjes ku aksidentoi për vdekje qytetarin Seit Sorra, dhe asnjë masë nuk është marrë ndaj tij.

“Sipas nenit 273 të Kodit Penal, Aqif Rakipi ka kryer vepër penale me largimin nga vendi i ngjarjes, që dënohet deri në 1 vit burg. Mirëpo prokuroria ende nuk ka hedhur asnjë hap drejt kësaj çështjeje, dhe deputeti Rakipi po shijon favoret dhe paprekshmërinë qe ia jep lidhja me Edi Ramën”, thuhet në deklaratë.

Në vijim, Partia Demokratike i bën thirrje deputetit të heqë dorë nga mandati dhe të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë e të mbajë përgjegjësi para ligjit.

Po ashtu, PD i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë mbrojtjen speciale që sipas kësaj partie, i jep mikut të tij, dhe të lejojë hetim të plotë e te pandikuar të ngjarjes.

“Këto janë rastet kur shihet nëse drejtësia funksionon për të gjithë njësoj, apo për miqtë e kryeministrit ka favorizime dhe paprekshmëri”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.

Kujtojmë se rreth orës 04:41 duke zbardhur e shtuna e javës së kaluar, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me tregun ushqimor, ndodhi aksidenti automobilistik.

Drejt vendit të ngjarjes, u nis patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete.

Në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, komisariati i Policisë nr.2 ka njoftuar që në këtë komisariat është paraqitur deputeti Aqif Rakipi, me automjetin e tij, tip “Mercedes” i dëmtuar në pjesën e përparme të tij.

Rakipi deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në komisariat.

Policia thotë se është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në këto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas ekspertit autoteknik të policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e këmbësorit Sait Sorra, 54 vjeç.

Aqif Rakipi në zgjedhjet e 25 qershorit nën siglën e PDIU, siguroi mandatin e deputetit në qarkun e Elbasanit. /a.y/noa.al