Transmetuar më 20-08-2017, 09:54

Një operacion i koduar “Weekend”,  ka bërë që policia e Tiranës të vërë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane.

Athanas Xhuveli, 23 vjeç, banues në Tiranë, lindur në Vlorë, u arrestua gjatë ditës së djeshme, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia.

Uniformat blu kanë marrë informacion se i riu dispononte armë zjarri dhe lëndë narkotike, si dhe gjithashtu ishte i shpallur në kërkim nga Gjykata e Aquila në Itali e cila në vitin 2013 e ka dënuar me 10 vjet burg për kryerjen e veprës penale “Grabitje dhe dëmtim”.

Pas një pune të mirëorganizuar disa ditore është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i tij shtetasi në rrugën “5 Maji” në drejtim të një motomjeti të markës “Kymco”, ku pas verifikimeve ka rezultuar pa leje drejtimi.

Gjatë kontrollit të banesës së marrë me qera prej tij, në afërsi të zonës së tregut “5 Maj”, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë e markës “Beretta”, 273.8 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, një maskë e zezë, dy palë doreza të zeza, një peshore elektronike dhe motori i markës “Kymco”.

Ndaj të dyshuarit materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. /a.y/noa.al