Transmetuar më 18-08-2017, 11:15

Zbulohet lëndë narkotike në një servis në Tiranë, duke bërë që një person të vihet në pranga dhe një tjetër të shpallet në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar pasditen e së enjtes, në një servis mjetesh në rrugën “Siri Kodra”, u zbulua lëndë narkotike.

Nga ana e uniformave blu u arrestua në kushtet e flagrancës E.K., 16 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi ishte prezent gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e të atit, në rrugën “Siri Kodra”, ku në bagazhin e mjetit tip “Benz”, janë konstatuar 7.4 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, ndërkohë u bë shpallja në kërkim e pronarit të servisit, H.K., 42 vjeç banues në Tiranë.

Ndaj të dyshuarve hetimet vijojnë ende, ndërkohë materialet për ndjekje të mëtejshme i’u referuan Prokurorisë së Tiranës lidhur me veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al