Transmetuar më 18-08-2017, 11:07

Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se ekonomia e vendit tonë është në agoni.

Ai deklaron se INSTAT tregon se pagat janë ulur me 2.1% dhe çmimet e mallrave të konsumit me 1.3%.

Sipas tij, këto janë shifra që tregojnë qartë një ekonomi në krizë, pa prioritete, që ecën përpara me ç’të bjerë dita dhe pa asnjë strategji zhvillimi afatgjatë dhe pa asnjë vizion.

“Shkollëpakti, kryeministri ynë, na njofton përditë për dëgjesat e dëgjimeve të vetes, po s’thotë asgjë për ekonominë dhe ka të drejtë, pasi ekonominë e tij e ka në rregull… Duhet Pakt Kombëtar për ekonominë. Kjo ecje e çoroditur, pa prioritete, është thjesht dhe vetëm agoni për ekonominë e vendit dhe ekonominë familjare të çdo shqiptari”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se ekonomia e Shqipërisë dhe zhvillimi i saj shumëvjeçar nuk mund të jenë pronë e një maxhorance, e cila mund të jetë e paditur si kjo jona, thotë Vasili, apo e lajthitur dhe e kapur, që nuk kupton, se është për të vajtuar kur thotë se ekonomia po rritet, kur ajo nuk prodhon asnjë gram mirëqenie për qytetarët.

Vasili e mbyll qëndrimin me këto fjalë, “Boll u tallët me ekonominë dhe me qytetarët. Është tallje rrënuese kjo". /a.y/noa.al