Transmetuar më 17-08-2017, 16:31

Media kombëtare italiane, “RAI Radio3” i ka bërë jehonë sot potencialit turistik që ofron Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë ndryshimit rrënjësor që ka pësuar Tirana në dy vitet e fundit, ndërsa fton qytetarët italian që ta konsiderojnë atë një destinacion të tyren.

Rubrikën e saj, “RAI Radio3 - Mondo”, ku flet për zhvillimet në vendet e tjera, kjo radio ia ka kushtuar pikërisht Shqipërisë, ku nëpërmjet një reportazhi të gjatë, Tirana paraqitet si promotore e ndryshimit të të gjithë vendit dhe një potencial i mirëfilltë turistik dhe kjo falë punës që po kryen Bashkia e Tiranës.

Gazetarja italiane ka vizituar disa nga vendet më tërheqëse në Tiranë, ato historike si xhamia e “Et’hem Beut”, por edhe ato që falë investimeve janë kthyer në vende të preferuara për turistët e huaj, përfshi këtu Pazarin e Ri, sheshin “Skënderbej”, si dhe “Shtëpinë e gjetheve”, një nga bazat simbol të veprimtarisë së shërbimit famëkeq të Sigurimit të Shtetit. Më pas ajo udhëton drejt Durrësit dhe Vlorës, ku gjithashtu i bën një ekspoze të gjerë mundësive turistike të këtyre zonave.

“RAI Radio3” ka postuar edhe një set fotosh të “Lovelyplanet” nga Tirana në faqen e saj në rrjetin social Twitter, ku bien në sy ato nga sheshi “Skënderbej” dhe xhamia e “Et’hem Beut”, ndërsa i shoqëron edhe me një sërë komentesh pozitive për Tiranën dhe Shqipërinë.

“Tirana është kthyer tashmë në kantierin e ndryshimeve në vend”, shkruan “RAI Radio3” në Twitter, duke iu referuar pikërisht transformimit të madh që po pëson kryeqyteti shqiptar. Një vëmendje të veçantë zë padyshim Pazari i Ri, i cili është shndërruar në një hapësirë të dashur për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë turistët. “Pazari i Ri në qendër të Tiranës tashmë është kthyer në një zonë baresh e restorantesh”, shkruan “RAI Radio3” në një tjetër koment në Twitter.

Në përfundim, kjo radio thekson se turizmi në vendin tonë është rritur me 15%, ndërsa shprehet se Shqipëria është destinacion për italianët. 

Për të ndjekur të plotë reportazhin e bukur të “RAI Radio3” kliko: http://bit.ly/2vI0AYG