Transmetuar më 17-08-2017, 11:57

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, inspektoi punimet për ndërtimin e Rrugës “Faik Konica”, nga ku tha se investimet e bashkisë rrisin vlerën e pronës së banorëve.

Sipas tij, zona pranë Qytetit Studenti dhe stadiumit kombëtar në ndërtim po merr një vlerë tjetër pas investimeve të Bashkisë së Tiranës.

Veliaj deklaroi se kjo pjesë e kryeqytetit do të jetë një nga poliqendrat e saj, ashtu si Kinostudio, Lapraka e Kombinati.

Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve të zonës për të liruar hapësirat e zëna në mënyrë që puna të përfundojë në kohë rekord.

Veliaj deklaroi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës do të rrisin vlerën e pronës së qytetarëve. “Kjo është një zonë e cila ka një bum të jashtëzakonshëm. Të shikojmë se si do t’i rritet vlera kësaj prone falë këtij investimi, por edhe faktit që stadiumi “Qemal Stafa” është konceptuar si një qendër tregtare, si një hapësirë për aktivitete të ndryshme dhe ekskluzivisht pedonale”, tha kryebashkiaku.

Ai deklaroi se e gjithë zona pranë “Qytetit Studenti” po shndërrohet në një nga poliqendrat e reja të Tiranës.

“Kjo është arsyeja pse këtë punë po e bëjmë mbarë një herë e mirë, që të mos i rikthehemi sa herë që kemi nevojë të përditësojmë rrjetin e ujit apo rrjetet e tjera mbështetëse të zonës”, tha Veliaj, teksa shtoi se në Njësinë 2 në kryeqytet do të ndërtohen edhe dy shkolla të reja 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.

Ndërtimi i Rr. “Faik Konica” parashikon ndërhyrje në nënshtresat dhe shtresat sipërfaqësore, ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, ndërtimin e linjave rezervë për fibrat optike, si dhe ndriçimin e rrugës.

Projekti parashikon përdorimin e pllakave në formë kalldrëmi, ndërsa gjerësia e rrugës do të jetë 11.5 metër, ku një korsi do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe një për parkimin. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe korsi e dedikuar për biçikletat. /a.y/noa.al