Transmetuar më 17-08-2017, 11:43

Një këlysh delfini ngordhi mes duarve të pushuesve në Spanjë në 11 gusht. Ky fakt u bë i ditur nga grupi “Equinac”, i cili merret me rikuperimin e faunës detare, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku publikoi pamje nga vendi i ngjarjes.

Në publikim thuhet se delfini gjendej thuajse në breg të detit, kur pushuesit e kapën për të bërë fotografi me të.

Mes kuriozëve ishin dhe shumë fëmijë të cilët e përkëdhelnin, por gjatë kësaj kohe i bllokuan rrugët e frymëmarrjes që u shërbejnë kur ndodhet në sipërfaqe.

Kjo bëri që delfini të ngordh në duart e pushuesve, shkruan noa.al.

Megjithatë hetimet janë në vijimësi për të kuptuar, nëse delfini përfundoi në breg për shkak se ishte i sëmurë, apo për shkak se humbi orientimin nga nëna e tij.

“Equinac” thotë se kjo gjë nuk dihet, ndërsa kritikon sjelljen e pushuesve ndaj delfinëve, duke apeluar që këto lloj gjallesash të mos preken me dorë, pasi një përkëdhelje e thjeshtë në mënyrën jo të duhur, u kushton jetën. /a.y/noa.al