Transmetuar më 16-08-2017, 18:16

Si çdo qytet i Shqipërisë edhe Elbasani ka traditën e tij të gatimit që e bën të veçantë nga qytetet e tjera. Një ndër to është edhe "simitja me bugaçe", traditë e cila daton prej dy shekujsh dhe është karakteristikë vetëm e Elbasanit.

Shkaku i përgatitjes dhe shijes të veçantë që ajo ka bën që çdo qytetar i Elbasanit ta konsumojë për mëngjes. Mirëpo kohët e fundit duket se ky ushqim ka filluar të përdoret dhe është përhapur dhe në disa qytete të tjera si Tirana, Durrësi etj… madje edhe jashtë Shqipërisë.

Një e treta e popullsisë është larguar nga vendi që kur sistemi komunist u rrëzua, por vala e fundit e emigracionit në vitet 2014-2015 ka përfshirë ikjen nga vendi të njësive familjare. Shumica kanë dhënë shkak gjendjen ekonomike, mungesën e perspektivës dhe mungesën  sigurisë.

Një prej tyre është familja Hoxha që fatmirësisht është rregulluar mirë në Siegen, qytet në Gjermani. Ato kanë arritur të marrin një dyqan me qera dhe kanë hapur biznesin e tyre të vogël, një mëngjesore.

Kryefamiljari Gentiani shprehet i kënaqur me punën e tij dhe me kuzhinën e pasur të Elbasanit që pëlqehet shumë nga qytetarët gjerman dhe shqiptar në Gjermani.

"Byrekët me dhallë dhe bugaçet me salçiçe janë ushqimet më të përdorura por sidomos bugaçja. Mendoj që në ditët e ardhshme do ta zgjeroj më shumë kuzhinën duke shtuar akoma gatime elbasanllie si fërgesa, tava e kosit etj", shprehet ai për Inforelbasani.