Transmetuar më 16-08-2017, 12:10

Hidhen themelet për ndërtimin nga e para të shkollës “Kosova” në Tiranë, e cila sipas kryebashkiakut Erion Veliaj do të jetë katër herë më e madhe dhe do të jetë gati për vitin tjetër shkollor.

“Sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje. Një projekt i cili ka kaq kohë që përgatitet, por më në fund, me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Si një ish-nxënës i kësaj shkolle, Veliaj shprehu kënaqësinë e dyfishtë se ky institucion arsimor do të rikthehet me një kapacitet katër herë më të madh, por duke ruajtur të njëjtën cilësi siç edhe e ka pasur shkolla e mëparshme.

“Siç është ajo shprehja, këpucën e tij këpucari e rregullon të fundit. Kjo është në fakt shkolla ime. Më vjen mirë që e fundit në serinë e parë të shkollave, të katër shkollave të reja, është shkolla “Kosova”, ndaj ndihem shumë i lumtur që për të gjithë ata si puna ime, që kanë nostalgjinë e të qenit fëmijë, e të rriturit, të formuarit në këtë hapësirë fantastike si shkolla “Kosova”, do e rikenë, por kësaj here katërfish më të madhe. Shkolla shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë. Do të ketë të njëjtin cilësi, siç ka qenë ndër vite reputacioni i shkollës ‘Kosova”, shtoi Veliaj.

Ai tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm do të ndihmojë që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera përreth që funksionojnë në këtë njësi.

Veliaj deklaroi se me shkollën “Kosova” shkon në katër numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës për të vazhduar më pas edhe me 16 shkolla të tjera të reja që do të ndërtohen në partneritet me privatin dhe që do t’i japin fund problemit të ngarkesave në klasa.

Ai tha se këto katër shkolla të reja, “Hoxha Tahsin”, “Betim Muço”, “Ardian Klosi” dhe shkolla “Kosova” janë vetëm paketa e parë e shkollave që po ndërtohen, për të vijuar me 16 shkolla vitin tjetër dhe për t’u siguruar që brenda këtij mandati, një tjetër legjendë shqiptare, ajo e shkollave me dy turne, të jetë një fjalë e huaj për fjalorin tonë. /a.y/noa.al