Transmetuar më 14-08-2017, 21:10
Publicitet

Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, personi që u vra pasditen e sotme në Strugë, është i lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Bëhet i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, si dhe për publikun më të gjerë, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për tregtinë me femra, shkruajnë mediat në Maqedoni.

Si i ri, pas një qëndrimi në Zvicër, ku punon në ndërtim, rreth viteve ’80 kthehet në Maqedoni. Atje ishte pronar i lokaleve të natës, pothuajse në të gjitha qytetet më të mëdha, si në Shkup, Ohër, Strugë, Gostivar, Manastir, si dhe në disa fshatra.

Ai ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia… dhe duke kontrabanduar në vendet e Bashkimit Evropian shqiptarë, kurdë, pakistanezë, afganë…

Me punë operative dhe me bashkëpunim të FBI-së (dega në Budapest) me policitë evropiane, Bojku identifikohet, grumbullohen dëshmi për punët kriminale dhe shpallet fletarrest ndërkombëtar.

Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, me ç’rast në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj.

Më 20 qershor 2003, i shpëton policisë teksa po transportohej për në burg. Marshallët amerikanë shpallin shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmonte në kapjen e Bojkut.

Për arratisjen e tij nga burgu, kanë shkruar edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.

Rreth dy javë pasi ikën nga burgu i Strugës, arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, prej nga kishte planifikuar të braktiset, fillimisht për Itali, e më pas për Brazil.