Transmetuar më 14-08-2017, 12:29

Kryeministri Edi Rama publikon një letër të cilën e quan letra e javës. Ai shkruan se, ndërkohë që jo pa të drejtë trazohemi nga sjelljet e nga aktet e parazitëve dhe grabitqarëve në zyrat e shtetit, pak ose aspak vlerësohen moralisht, mijëra e mijëra punonjës, me dinjitet e profesionalizëm në shërbim të këtij shteti.

“Ja një ndër jo pak mesazhet e vlerësimit që i’a vlen të lexohet në respekt të këtyre punonjësve”, shkruan Rama, në Facebook duke publikuar letrën e plotë.

Në letër jepet rrëfimi i një qytetari që humbi babanë si pasojë e tumorit në mushkëri në Kubë, ku ishte dërguar për kurim dhe vlerëson ndihmën e dhënë për kthimin e trupit të pajetë në atdhe.

Letra e plotë

Përshëndetje të gjithëve,

Tani, që ra sipari dhe Babai im, Dr.Mark Prenga, prehet më së fundi në paqe, po Ju shkruaj dy rreshta falenderimi nga thellësia e zemrës.

Udhëtimi i shpresës në Kubë, për të kuruar babain tim të sëmurë me tumor në mushkëri, u pre në mes.

Vdekja e një prindi është një ngjarje shumë e dhimbshme, aq më tepër kur kjo ndodh në dhe të huaj e në një vend shumë larg atdheut. Këndvështrimi ndaj botës ndryshon papritur, një brishtësi e jashtëzakonshme trazon ambientin rreth e rrotull teje.

Mendimi im i parë ishte që t’i drejtohem për ndihmë organeve shtetërore shqiptare.

Në një kohë rekord e me një ndjeshmëri të paparë, shteti shqiptar më ka ndihmuar në çdo hap e në çdo orë të ditës dhe natës. Në një gjendje psikologjike të tillë, kjo mbështetje ishte me një rëndësi të jashtëzakonshme për mua dhe familjen time që priste në Shqipëri.

Gjithsecili nga ju, duke filluar nga Kryeministri z.Edi Rama e duke vazhduar tek z.Ditmir Bushati, z.Gazmend Barbëllushi, z.Nuri Domi, z.Guri Selmani, z.Artan Canaj, z.Rezar Bregu dhe në fund por jo e fundit, znj. Najada Sojli e stafin e New York-ut.

Në këtë odise kaq të vështirë e plot peripeci burokratike, në një nga etapat e kthimit në atdhe të tim eti, pata fatin të takoja personalisht znj. Najada Sojli, e cila më është gjendur pranë në çdo moment, me dhembshurinë e një motre të madhe e si një funksionare e përkryer, me këshilla të vyera e me një përkushtim për punën e saj. Nuk e humbi për asnjë çast toruan dhe me këshillat e saj, u bë i mundur transportimi i trupit nga Havana-Meksikë-New York-Stamboll-Tiranë.

Kishte shumë sinjale që shteti shqiptar ishte në rrugën e duhur me shkolla, kopshte, rrugë, sheshe, infrastrukturë, luftë ndaj korrupsionit, imazhi i ri i policisë, Ushtrisë, Shëndetësisë e të tjera. Ne që jemi larg mbase i kuptojmë më mirë. Me këtë lloj mbështetje nga ana e shtetit, të paimagjinueshme deri pak vite më parë dhe e mirëpritur nga të gjithë të afërmit dhe miqtë tanë, po arrijmë të shohim më në fund, konturet e një shteti të së drejtës, që na bën të ndjehemi krenarë kudo që ndodhemi. Uroj të vazhdoni në këtë rrugë kaq të rëndësishme dhe të mos na zhgënjeni. Siç e thoni edhe vetë “Shumë kemi bërë dhe ka ende shumë për të bërë”.

Shpresa vdes e fundit.

Me respekt

Arlind Prenga dhe familja.

P.S. Kërkoj ndjesë nëse kam harruar ndonjë person pa falenderuar. /a.y/noa.al