Transmetuar më 13-08-2017, 12:38

Projekti ambicioz i Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar kënde lojërash dhe hapësira çlodhëse në çdo lagje të Tiranës ka gjetur përkrahjen edhe të përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë.

Ambasada çeke është e para e cila iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës, duke dhuruar module të ndryshme lojërash për këndin e fëmijëve në sheshin “Bajram Curri”, Njësia 7.

Teksa inspektoi fillimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky kënd lojërash shënon fillimin e bashkëpunimit me ambasadat për të çuar përpara projekte të ngjashme në kryeqytet.

“Më vjen mirë që ambasada e parë që i bashkohet projektit tonë për këndet e lodrave është ambasada çeke. Praga nuk u ndërtua në një ditë, Praga u ndërtua ndër dhjetëra e qindra vite, por çdo ditë është bërë nga një punë konkrete. Kështu që, edhe ambicia jonë është që të punojmë çdo ditë për ta bërë Tiranën më të mirë dhe të sigurohemi që në finale të kemi një qytet kryesisht të mirë për fëmijët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku garantoi se edhe në gjysmën e dytë të mandatit, Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për ndërtimin e hapësirave sportive dhe çlodhëse për fëmijët.

“Ky është këndi ynë i 21 në dy vjet, por do të vazhdojmë edhe për dy vitet e tjera që na kanë mbetur, që të mos mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për gjeneratën e ardhshme. Fëmijët që rriten me një fëmijëri që ia vlen të mbahet mend, me aktivitet fizik, me jetë të shëndetshme, sigurisht bëhen qytetarë shumë herë më të kulturuar dhe shumë herë më të civilizuar nesër për Tiranën”, theksoi ai.

Duke vlerësuar cilësinë me të cilën është punuar për ndërtimin e këndeve për fëmijë dhe të shesheve çlodhëse për të gjitha grupmoshat, Veliaj tha se investime të tilla kanë një impakt pozitiv edhe për gjeneratën e ardhshme.

Ai u shpreh optimist se ky bashkëpunim me ambasadën çeke për ndërtimin e këndeve të lojërave, do të ndiqet edhe nga përfaqësitë e tjera të akredituara në vendin tonë. /b.l/noa.al/