Transmetuar më 12-08-2017, 13:05
Publicitet

Me fillimin e vitit të ri shkollor, 230 të rinj, nxënës të Shkollës së Baletit në Tiranë, do të mund të studiojnë në një godinë me mjedise të rikonstruktuara. Kjo do t’i japë fund praktikës së mësimit në shkolla të tjera të këtyre nxënësve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin orët e mësimit diku tjetër për shkak të gjendjes ku ndodhej Shkolla e Baletit.

Punimet, të cilat janë drejt fundit, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur me ritmet dhe cilësinë.

“Pas çdo pune, mësojmë se puna e radhës është akoma më e mirë. Kjo është ndoshta një nga të vetmet shkolla në Shqipëri e cila është e gjitha e kondicionuar, me foni të brendshme, me parket Harlequin dhe gjashtë salla kërcimi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë e cilësoi të turpshme gjendjen në të cilën ishte lënë Shkolla e Baletit dy vite më parë, pavarësisht se ndër vite ka nxjerrë talente që na kanë nderuar kudo në botë. “Ne po bëjmë detyrën tonë dhe pastaj është detyra e mësuesve të talentuar, që talentin e këtyre të rinjve, ta çojnë më lart. Vetëm kur qyteti dhe shkolla bëjnë detyrën e tyre, besoj se realisht mund të jemi krenarë për këta të rinj sepse kemi dhënë edhe ne një kontribut modest. Është shumë kollaj të thuash “o sa mirë me qenë shqiptar”, por t’i lësh shkollat tona në gjendjen që i gjetëm para dy vitesh, është vërtet turp. Unë besoj se mund të themi “o sa mirë me qenë shqiptar” kur secili ka bërë detyrën e tij”, u shpreh ai.

Vëmendje e veçantë gjatë punimeve, i është kushtuar edhe ndërtimit të amfiteatrit dhe sistemimit të mjediseve të jashtme të shkollës, duke krijuar një hapësirë të denjë në shërbim të komunitetit.

“Kemi ofruar një shkollë jashtëzakonisht dinjitoze, komuniteti gjithashtu ka përfituar një hapësirë e cila do të jetë për koncerte, për aktivitete, për shfaqje, që mund të përdoret gjithashtu edhe nga komuniteti në kohën e lirë dhe besoj i ka shtuar vlerën gjithë kësaj zone”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se, investimi i ri ka dhënë rezultatet e para, ku si pasojë e përmirësimit të kushteve dhe cilësisë së mësimdhënies, janë rritur edhe kërkesat e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë.

“Mezi pres që të kemi dy gëzime: hapjen e vitit të ri shkollor, por edhe 60-vjetorin e Shkollës së Baletit. Detyra jonë në bashki është që të bëjmë çmos që talentet të kenë shansin të shkëlqejnë”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tregtarëve të cilët janë vendosur pranë oborrit të shkollës, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia e Tiranës.

“Policia Bashkiake do të bëjë detyrën e vet, por unë shpresoj shumë që do të kemi mirëkuptim që ata që shesin dhe tregtojnë në ambientet e Shkollës së Baletit, të kuptojnë që kjo është një shkollë, një institucion arsimor, dhe jo treg rrobash. Nëse duan treg, ai është vetëm 50 metra më larg, ndaj nuk e mirëkuptoj histerinë e atyre që sulmojnë Policinë Bashkiake. Vetëm duke respektuar secili hapësirën e vet mund të kemi edhe shkollë cilësore, edhe treg cilësor, edhe lagje cilësore”, u shpreh kryebashkiaku.

Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes. /a.y/noa.al

Loading...