Transmetuar më 12-08-2017, 11:45
Publicitet

Dalin fotografitë e makinës së deputetit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi, i cili teksa zbardhte e diela aksidentoi për vdekje një këmbësor në autostradën Vorë-Tiranë.

Në pamje shihet mjeti i dëmtuar i deputetit në pjesën e përparme dhe xhami i thyer me njolla gjaku.

Paraprakisht bëhet e ditur se nga testi i alkoolit, deputeti nuk rezultonte në gjendje të dehur.

Ndërkohë Partia Demokratike nuk vonoi akuzat, duke thënë se Aqif Rakipi është mik i Kryeministrit Edi Rama dhe se po tentohet të fshihet ngjarja, duke manipuluar provat.

Por për këtë ngjarje ka reaguar edhe PDIU dhe më konkretisht ndaj Partisë Demokratike.

“PD, në mjerim, kërkon të bëjë politikë e opozitë me një aksident tragjik. Prokuroria e Policia të mos ndikohen politikisht. Është për të ardhur keq që përpiqet mjerisht të abuzojë me raste aksidentesh e fatkeqësish. PDIU i kërkon Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohet politikisht në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike”, thuhet në deklaratën e PDIU, ku shprehen ngushëllime për familjen e viktimës.

Duke dalë me deklaratë për ngjarjen e mëngjesit të sotëm, policia bëri me dije se rreth orës 04:41, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me tregun ushqimor, ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete.

Në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, komisariati i Policisë nr.2 ka njoftuar që në këtë komisariat është paraqitur deputeti Aqif Rakipi, me automjetin e tij, tip “Mercedes” i dëmtuar në pjesën e përparme të tij.

Rakipi deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në komisariat.

Policia thotë se është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur.

Në këto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas ekspertit autoteknik të policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e këmbësorit S.S., rreth 53 vjeç.

Aqif Rakipi në zgjedhjet e 25 qershorit nën siglën e PDIU, siguroi mandatin e deputetit në qarkun e Elbasanit. /a.y/noa.al

Loading...