Transmetuar më 11-08-2017, 18:42

Flakët e zjarrit në  Çorrush të Mallakastrës po rrezikojnë seriozisht jetën e 7 familjeve.

Alarmin e jep në një komunikim telefonik për “News 24”, vajza e njërit prej banorëve që është rrethuar nga flakët.

Teksa qan me dënesë, vajza në fjalë thotë se prindërit e moshuar e kanë telefonuar para dy orësh dhe ajo ka mbërritur nga Vlora në këtë fshat, por nuk ndërhyn dot për t’ju ardhur në ndihmë, pasi zjarri ka marrë përmasa të frikshme.

Në të njëjtën kohë ajo thotë se ka lajmëruar Policinë e Shtetit dhe zjarrfikëset, por askush nuk ka shkuar për t’ju ardhur në ndihmë.

“Situata është shumë alarmante, kemi dy orë që e marr policinë e shtetit, zjarrfikëset, por askush nuk vjen. Ne u sosën nga Vlora por s’ju japim dot ndihmë.

Nuk ka asnjë ndihmë nga shteti. Ku është shteti?! E gjithë lagjja është rrethuar nga flakët, po na digjen prindërit brenda (qan) Duhet ndihmë nga ajri se po digjen brenda, ju lutem”, thotë ajo.