Transmetuar më 09-08-2017, 18:24

“Shanset për azil janë zero”. Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga zëvendës ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda.

Deklarata e saj u bë nga aeroporti i Rinasit, kur rreth orës 15:30, mbërriti një avion charter me 30 shtetas shqiptarë të rikthyer nga Franca, të cilët kishin kërkuar azil politik në Francë.

Mësohet se ky është avioni i tretë, një tjetër do ketë brenda pak ditësh.

Zv.ministrja Voda, e shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna, përcolli mesazhe të prera për të gjithë ata shtetas që tentojnë për të udhëtuar drejt Francës apo vende të tjera të BE-së, me qëllim kërkimin e azilit politik.

“Tashmë prej tre vitesh Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra një vend i sigurt ku qytetarët e tij. Shanset për të kërkuar azil, janë zero. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të jenë ndërgjegjshëm që sigurisht lëvizja e lirë nuk do t'u cenohet. Patjetër që ata kanë të drejtë brenda kufijve të zonës Schengen të lëvizin, kanë lirinë e tyre, por duhet të respektojnë patjetër edhe rregullat e kësaj lëvizjeje”, u shpreh ajo.

Voda tha se Policia e Shtetit ka marrë një plan masash, ka nxjerrë disa urdhra për të monitoruar lëvizjet e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve shqiptarë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë, që të monitorohet me shumë përgjegjësi lëvizja e tyre.

Ajo tha se urdhri i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pikërisht ka të bëjë me forcimin e masave të kontrollit kufitar.

Më tej nënvizoi se një objekt më i rëndësishëm i kontrollit do të jenë shtetasit inad dhe ata të depërtuar, ku do të këtë kontrolle më të shumta ndoshta në vijën e dytë të kontrollit për shtetasit që mund të dalin të dhëna nga sistemi pra sistemi TIMS.

“Ndoshta dhe zhurma që kemi dëgjuar në media që po cenohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë nuk është e vërtetë, thashë gjithçka është konform ligjit që kemi ne për kontrollin kufitar, i përafruar me legjislacionin e BE-së por edhe konform siç thashë, të gjitha masave të lëvizjes së lirë të shtetasve brenda zonës Schengen. Mos kërkoni azil brenda vendeve të BE, Shanset për azil janë zero”, deklaroi e prerë zëvendës ministrja.

Po ashtu Voda tha se, të gjithë ata shtetas që pretendojnë një shkollim më të mirë dhe që duan të gjejnë punë, kanë të gjitha mundësitë ligjore dhe rrugët ligjore për të kërkuar diçka të tillë në vendet e Bashkimit Europian. /a.y/noa.al