Transmetuar më 08-08-2017, 15:15

Pak ditë pasi autoritete kroate vendosën ekstradimin e Ismail Morinës, ose ndryshe Ballistit drejt Serbisë, vend në të cilin kërkohet për incidentin e ndodhur më 14 tetor në ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd ku ngriti flamurin autokton me dron, vijojnë përpjekjet e vendit për ndalimin e këtij vendimi.

"News24" mëson se Federata Shqiptare e Futbollit i është përgjigjur ministrit të Drejtësisë Gazmend Bardhit duke i dorëzuar vendimin e KAS për ndeshjen Serbi- Shqipëri.

Vendimi i KAS iu kërkua FSHF-së nga ministri i Drejtësisë, i cili do i çojë relacion homologut kroat.

Kjo, pasi në vendimin e KAS përshkruhen reagimet raciste, gjuhën e urrejtjes në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes dhe situatën e rënduar me episode dhune.

Relacioni i ministrit Bardhi do të ketë argumentet për mosekstradimin e Ballist Morinës, të mbështetura në argumentet e KAS në vendimin për ndeshjen.

Disa ditë më parë Darko Butigan, avokati i Morinës, ka konfirmuar se Ballist Morina ka aplikuar për azil politik në Kroaci, për të shmangur ekstradimin në Serbi.

“Unë mund të konfirmoj se ai aplikoi për azil politik në Kroaci, sepse ai mendon se nuk do të ketë një gjykim të drejtë në Serbi,” tha avokati.

Pasi një gjykatë në Dubrovnik të Kroacisë vendosi për ekstradimin e tij në Serbi, Butigan apeloi çështjen në Gjykatën Supreme.

“Zakonisht duhen dy deri në tre muaj për të marrë një vendim, por kërkesa për azil do e shtyjë ekstradimin për një periudhë mes gjashtë deri në dhjetë muaj,” tha Butigan. /b.l/noa.al/