Transmetuar më 08-08-2017, 09:40

Parlamenti i ri ka një veçanti këtë herë, pasi në sallën e Kuvendit bashkohen dy breza, ata “të komunizmit” dhe të lindurit në pluralizëm. Në një studim të tij, politologu Afrim Krasniqi, si drejtues i Institutit të Studimeve Politike ka nxjerrë emrat e të vjetërve dhe të rinjve që do ulen për herë të parë në Kuvend.

“Pluralizmi politik nisi më 1991, zgjedhjet e para u bënë më 1991, premtimi i atëhershëm ishte se nuk do të kishim politikanë të përjetshëm dhe se modeli i Byrosë Politike do të lihej përgjithmonë pas. Pas 27 vitesh, kemi ‘zgjedhur’ deputetët e rinj, dhe disa detaje, janë vërtet interesante”, thuhet në artikull.

“Për shembull, katër deputetë të rinj kanë lindur midis 1991-1995, pikërisht kur tetë politikanë të sotëm ishin po ashtu deputetë dhe figura drejtuese. Imagjinoni, Berisha (PD), Ruçi e Nasufi (PPSH) janë bërë deputetë më 1991, Majko, Shehu, Ulqini e Shehi u bënë deputetë më 1992 me PS e PD, ndërkohë që ende nuk kishin lindur tre deputetët më të rinj të parlamentit të sotëm, Kërpaçi, Mehmetaj e Lala.

Vetëm disa ditë pas masakrës së prillit 1991 kur Sali Berisha e Gramoz Ruçi grindeshin për përgjegjësitë e fajet, në Shkodër lindi një vajzë, e cila sot është zgjedhur deputete”, vijon studimi. “Imagjinoni deputetë që shkojnë në një sallë dhe duhet të debatojnë me individë që janë ngulur në atë sallë më gjatë sesa mosha e deputetëve të rinj, që kanë mbijetuar në politikë përmes të gjitha formave të mundshme, duke na u imponuar edhe sot si modele drejtuese politike! 27 vjet, të pushtetshëm, të pasur dhe të paprekshëm! U ngritën, u rrëzuan, u ngritën, u rrëzuan, u ringritën, dhe gjatë këtyre fazave të tyre, gjërat në këtë vend nuk kanë shkuar edhe aq mirë, kryesisht për meritë dhe faj të tyre”, shkruan Krasniqi. “Në shtator 2017 mund të kemi në podiumin drejtues të Kuvendit Gramozin, dhe përballë tij në sallë Saliun, Fadilin, Tritanin, Anastasin e të tjerët, përsëri duke u grindur, duke denigruar njëri-tjetrin, duke folur e folur në parlament e TV; duke na thënë se janë aty dhe po bëjnë gjithçka për hir të Shqipërisë, shtetit, demokracisë, brezave të ardhshëm, se duan të na anëtarësojnë në BE dhe se duan të kemi shtet e demokraci funksionale! Dhe jashtë sallës së Kuvendit, ka me mijëra militantë fanatikë të palëve që u besojnë dhe i ndjekin! Ata patën premtuar se do të krijojnë shoqërinë, por krijuan turmat dhe në turma, ata janë të aftë, me forcë, para, pushtet, pakte e pazare, – të dalin fitues periodikisht”, sipas Krasniqit. Sipas tij, “ky parlament mbyll ciklin, ku të lindurit pas 1991-shit bashkohen në sallë me ata që ishin në krye më 1991-shin.

Mjafton ky kontrast i thellë për të kuptuar se të gjithë ne jemi rritur në vite e në moshë, kemi më shumë thinja e më shumë kujtime, por në thelb, pak gjëra kanë ndryshuar nga pritshmëritë utopike dhe idealiste të brezit të vitit 1990-1992. Iku Byroja, por byroistët mbetën; iku partia-shtet, por partitë-shtet mbetën; ikën të paprekshmit, por të paprekshmit e rinj të paprekshëm mbetën; iku rinia, por udhëheqësit e vjetër modele imitimi nga të rinjtë mbetën…”/GSh