Transmetuar më 27-07-2017, 18:04

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur pasditen e kësaj të enjte në zyrën e tij në Kryeministri drejtorë të Hipotekave në të gjithë vendin.

Rama foli ashpër përballë tyre, duke thënë se kanë gënjyer në raportet që i kanë dërguar zyrës së tij.

“Ju keni përpiluar raporte fiktive. Sipas jush del që keni vetëm 5126 leje të patrajtuara, ndërkohë që shifra reale është pesë fish më e lartë”, u tha Rama.

“Nga ana tjetër, për sa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave, të dy viteve më parë, për blloqet kadastrale jemi në shifrën e 11 % , që është katastrofike”, shtoi Rama. 

Më tej ai shtoi se vetëm dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësish partiake dhe përballja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në cdo bashki, është hapi fillestar i reformës rrënjësore në Hipoteka.

"Dorëheqja e të gjithë regjistruesve pa dallim përkatësish partiake dhe shpallja e kërkesës publike për kandidatë, për pozicionin e regjistruesit në çdo bashki, është vetëm hapi fillestar në rrugën e një reforme rrënjësore për të bërë shtet në hipotekë", tha Rama.

Kryeministri sqaroi se hapi tjetër që do të ndërmarrë me krijimin e qeverisë së re do të jetë ngritja e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë.

"Synimi është që më herët se sa vonë brenda këtij mandati, certifikata e pronës të mundësohet automatikisht nga regjistri kombëtar digjital i pronës, jo më për një javë, muaj e vite, po në pak minuta", tha Rama.

Pasi i kritikoi ashpër, Rama në fund ka shpërthyer duke thënë: “Jepni dorëheqjen nga i pari te i fundit. Nuk jeni për këtë punë. Ikni që tani!”, ka thënë Rama.